Në seancën e mbajtur të enjten e pesë majit, në Kuvendin e Kosovës, kishte shumë zhurmë e drama nga ana e opozitës në pengim të agjendës së punës së kësaj seance.
Seanca e cila ka filluar me një minutë heshtje me rastin e ditës së Dëshmorëve të Kombit, ka vazhduar me një mori fishkëllimash e goditje të tavolinave si shenjë revolte nga ana opozitës. Në fund, ajo ka triumfuar me një pajtueshmëri të të dyja palëve (opozitë-pozitë), për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energji.
“Kjo seancë po konsiston me Ditën e Dëshmorëve. Ndaj propozoj që së bashku si deputetë të Kuvendit, të gjithë dëshmorët t’i nderojmë me një minutë heshtje”, është shprehur Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fillim të seancës.
Në këtë seancë ishte paraparë të diskutohet për punën njëvjecare të Qeverisë së Kosovës.
Gjatë kësaj seance, në rend ditë ishte edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e konkurrencës.
Po ashtu, pjesë e rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i ndryshim-plotësimit të ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimiale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Në fillim të seancës, shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare kanë kërkuar që punimet e Kuvendit të mos vazhdojnë derisa të gjendet një gjuhë e përbashkët për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energji.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar që kjo seancë të mos vazhdojë derisa të gjendet një marrëveshje me pozitën, për ta themeluar komisionin hetimor.
Tahiri ka thënë se nuk ka kuptim që PDK-ja të marrë pjesë në çfarëdo punimi të kuvendit nëse nuk themelohet komisioni i kërkuar nga ta.
Sipas tij, themelimi i këtij komisioni është e drejtë kushtetuese që i takon atyre (opozitës).
Themelimin e këtij komisioni e ka kërkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi, ka thënë se nuk ka logjikë që kuvendi t’i vazhdojë punimet pa u themeluar komisioni për energji.
Gashi ka theksuar se mosthemelimi i këtij komisioni është duke e minuar demokracinë e Kuvendit të Kosovës.
Njëjtë, sikurse kolegët e tij nga partitë opozitare edhe lideri i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se e mbështet propozimin, që seanca e Kuvendit të mos vazhdojë pa u votuar komisioni hetimor për energji.
Haradinaj ka bërë të ditur se do të marrin pjesë vetëm në pikën në të cilën votohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se pajtohet që komisioni duhet të themelohet, por, sipas saj, nuk duhet që të bllokohet puna e Kuvendit të Kosovës.
Pas këtyre deklaratave, deputetët e opozitës kanë penguar zhvillimin e punimeve të Kuvendit duke goditur tavolinat me shishe dhe duar. Këtë e kanë bërë në shenjë proteste për themelimin e komisionit hetimor për energjinë.
Në kohën kur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, mori fjalën, deputetët e opozitës filluan të krijojnë zhurmë që t’ia ndalnin fjalën deputetit.
Kjo mënyrë e shprehjes së revoltës ka zgjatur për disa minuta pa u ndalur.
Partitë opozitare kanë kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mos hedhë asgjë në votim, pa u votuar komisioni për energji.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka tentuar që përmes goditjeve me shishe në foltoren e Kuvendit të Kosovës t’ia pamundësojë fjalimin deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.
Në kohën kur Dugolli ka filluar të flasë në foltoren e kuvendit, deputeti Mërgim Lushtaku i është afruar dhe ka filluar ta godasë foltoren, me qëllim të krijimit të zhurmës dhe pamundësimit të deputetit të VV-së që ta vazhdojë fjalën e tij.
Duke e parë këtë, partitë opozitare kanë tentuar që përmes zhurmës së krijuar nga goditja e tavolinave dhe fishkëllimave ta pamundësojnë punën e kuvendit.
Kuvendi, pastaj, ka shkuar në pauzë deri në orën 12:30.
Drama ka vazhduar në Kuvend, përderisa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka rrëmbyer kutinë e votimit pak para se të rifillojë seanca e kuvendit, në të cilën deputetët do të votonin për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Pas një arene përplasjesh midis pozitës dhe opozitës, dhe për shkak të mungesës së kuorumit pas vënies në votim të procedurave për votimin e dy kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është detyruar ta ndërpresë seancën përreth një orë.
Njëjtë, sikurse deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, edhe ai i PDK-së , Abelard Tahiri, e ka marrë kutinë e votimit për t’ia pamundësuar pozitës të votojnë për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Pasi herën e parë kutinë e largoi nga foltorja Armend Zemaj i LDK-së, kësaj here Abelard Tahiri u konfrontua me deputetin e VV-së Salih Zyba.
Tahiri e mori kutinë dhe e hodhi në dysheme, duke tentuar kështu t’ia pamundësojë deputetëve të pozitës votimin.
E për të qetësuar situatën, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka thirrur një mbledhje me shefat e grupeve parlamentare.
Seanca ishte shtyrë për së dyti herë, tash deri në orën 14:00.
E pas shumë përplasjesh, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka ngritur mocionin për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë, siç është kërkuar nga opozita, po ashtu edhe nga pushteti.
”Pas një konsultimi me kryesinë dhe kryetarët e grupit u arrit një formë kompromisi. Që të procedojmë me një mocion të cilin do ta ngris unë, si kryetar. Po e vëmë në dy pika mocionin, e para për ta vendosur në votim themelimin e Komisionit Hetimor të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). E dyta të jetë themelimi i komisionit hetimor i propozuar nga LVV-ja”, ka thënë ai.
Është votuar me 93 vota për, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë, i propozuar nga grupet opozitare.
Kryesues të këtij komisioni do të jenë Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), ndërsa nënkryetar Ferat Shala nga PDK-ja.
Gjithashtu, është votuar edhe formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë, i propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Për formimin e këtij komisioni kanë votuar 95 deputetë të cilët ishin të pranishëm në sallë.
Kryesues i këtij komisioni do të jetë Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës.
Edhe pse seanca ka vazhduar agjendën e saj, gjyqtarët e Kushtetueses nuk janë zgjedhur as në raundin e dytë, pasi asnjëri nga tre kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nuk i ka marrë votat e mjaftueshme.
Në rundin e dytë morën pjesë 97 deputetë, derisa dy vota ishin të pavlefshme.
Sipas rezultatit të votimit, kandidati Albert Bokshi ka marrë 60 vota, Bardh Bokshi 52 vota ndërkaq Etrur Maloku 39 vota.
Pasi ka dështuar zgjedhja e anëtarëve në kushtetuese, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës plenare.
Sipas tij, e njëjta seancë, do të vazhdojë javën e ardhshme.