Para disa ditësh, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka paralajmëruar protestë nëse nuk u paguhen shtesat e rrezikshmërisë.
Ata, përmes një komunikate për media, kanë thënë se Qeveria mori vendim selektiv ku me vendim u siguruan mjetet për rrezikshmëri në punë vetëm për Policinë e Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, në një prononcim për Portali Dukagjini, ka thënë se arsyet për paralajmërimin e protestës janë shprehja e pakënaqësive lidhur me situatën e krijuar në shërbimin e zjarrfikësve.
Sipas tij, probleme që po zgjasin me dekada janë mungesa e vijës së rregullt buxhetore, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese në mes te Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME), ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe komunave.
“Pa sigurime shëndetësore, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve, mungesa e pajisjeve personale dhe të përbashkëta”, ishin arsyet e tjera që Beka ka përmendur, duke shtuar se kanë kërkuar prej vitesh që të zgjidhen këto probleme të krijuara që nga viti 2013.
Kërkesat e zjarrfikësve janë: Kompensimi i pagesave për ndërrime të natës, festat shtetërore e orët shtesë për vitin 2022, të cilat, sipas tyre, nuk janë paguar edhe pse ka pasur zotime e premtime nga Qeveria që ato do të kompensohen.
“Të merret vendim që edhe për zjarrfikësit të realizohet pagesa për rrezikshmëri në punë dhe të fillojë në mënyrë retroaktive që nga muaji shkurt, sepse zjarrfikësit e kishin pagesën për rrezikshmëri, por është ndërprerë pa asnjë analizë dhe arsyeshmëri pse zjarrfikësit nuk kanë pagesë shtesë për rrezikshmëri në punë”, ka thënë Beka.
Kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve ka bërë thirrje se derisa janë kompetencat e padefinuara sa i përket menaxhimit në mes të komunave dhe AME/MPB, të sigurohet buxhet emergjent për vitin 2024, sepse sipas tij, të njëjtat probleme do t’i kenë edhe vitin e ardhshëm.
Tutje, ai ka kërkuar përmirësim të kushteve të punës, furnizim me pajisje, ngritjen e kapaciteteve teknike dhe shtim të zjarrfikësve, sigurim shëndetësor, të përfundohen kontrollat sistematike dhe sigurim të shujtës për ushqim.
Sipas Bekës, kushtet e punës janë të vështira, kanë mungesë te stafit, të pajisjeve e automjete të stërvjetruara.
Beka është shprehur se objektet ku janë të vendosur zjarrfikësit janë të papërshtatshme dhe kanë kushte të dobëta edhe higjeno- sanitare. Mes tjerash, zjarrfikësit kanë mungesë të aplikimit të masave për siguri dhe mbrojtje në punë. Ata të gjitha shpenzimet për shërim duhet t’i paguajnë nga xhepi.
Beka ka theksuar se qasja e Qeverisë ndaj zjarrfikëseve në vitet e fundit ka qenë jo e duhur dhe se nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre. Siç është shprehur kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, kjo qasje e Qeverisë i ka irrituar ata.
“Zjarrfikësit meritojnë qasje dhe përkujdesje institucionale, trajtim të dinjitetshëm”, ka theksuar tutje Beka.
Tutje, ai ka deklaruar se organizimin e protestës nuk e kishin dëshiruar asnjëherë, por siç është shprehur ai, kjo është bërë nga mosreflektimi i Qeverisë.
“Apelojmë që Qeveria duhet, e ka obligim që kërkesat e drejta dhe legjitime t’i përmbushë, t’i kryejë obligimet për vitin 2022 dhe 2023, kompensimet për pagesat që i cekëm më lart dhe të realizojë edhe të drejtën e pakontestueshme për shtesë të rrezikshmërisë. Konsiderojmë se mosrealizimi dhe kompensimi i obligimeve që kanë ndaj zjarrfikësve është edhe shkelje e të drejtave të punëtorëve”, ka përfunduar kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka.
Ndërsa, njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, në një pronocim për Portali Dukagjini, ka thënë se shërbimi i zjarrfikjes dhe shpëtimit ka mbetur për vite të tëra jo vetëm i anashkaluar, por fatkeqësisht i patrajtuar profesionalisht, teknikisht e as ligjërisht.
Ahmeti ka thënë se ka ngecje të mëdha kur bëhet fjalë për mjetet dhe pajisjet e punës.
“Disa mjete janë të stërvjetëruara dhe në numër të vogël, gjithashtu mungojnë edhe pajisjet me të cilat zjarrfikësit do të duhet të intervenojnë në raste të ndryshme. Pra, marr parasysh gjithë këto, me të vërtetë ky shërbim i sigurisë në vazhdimësi është lënë pas dore dhe nuk është trajtuar seriozisht”, ka thënë Ahmeti.
Sipas njohësit të çështjeve të emergjencave, Qeveria do të duhej të reflektojë mbi këtë institucion të rëndësishëm të sigurisë.
“Ka qenë dhe është detyrim i të gjitha qeverive që të përmirësojë kushtet e këtij shërbimi, si dhe t’i plotësojë kërkesat e tyre të ligjshme, në mënyrë që ata të kryejnë sa më mirë punën e vet, në shërbim të sigurisë së qytetarëve”, ka thënë tutje Ahmeti.
Sipas Ahmetit, zjarrfikësit prej shumë kohësh margjinalizohen e anashkalohen dhe kërkesat e tyre të drejta dhe të garantuara me ligj nuk përfillen.
Njohësi i çështjeve të emergjencave ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet që të qartësojnë shpejt dhe saktë zgjidhjen e kërkesave të zjarrfikësve shpëtues.
“Zjarrfikësve duhet t’u kompenzohet puna e ndërrimit të natës, orët jashtë orarit, puna gjatë festave shtetërore, rrezikshmëria në punë e të tjerë. Nuk duhet të lejohet padrejtësia e mëtutjeshme, pra kompensimi duhet të ndodhë ashtu siç është e përcaktuar me ligjet në fuqi”, është shprehur Ahmeti.