Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbër Rexhaj, thotë se ishte e pamundur që drafti i emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese siç kërkohej nga ndërkombëtarët.
Sipas tij, Kosova do të anëtarësohet herët a vonë në Këshill të Evropës (KiE) por theksoi se “për hir të anëtarësimit nuk mund t’i përsërisim gabimet e qeverive të kaluara”.
“Qëllimi final ka qenë dërgimi i draftit të Lajçakut në Gjykatën Kushtetuese, ne këtë nuk e kemi pranuar sepse dokumenti i tillë ka shumë probleme brenda të cilat mund t’i sjellin më pastaj shumë probleme në funksionalizim edhe Republikës së Kosovës dhe kjo ka qenë një nga arsyet bazike për atë kemi thënë se ne jemi të gatshëm për një draft të vete menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese mos ta ketë madje as emrin Asociacion”, tha Rexhaj.
Rexhaj shtoi se Qeveria mori vendim të dhimbshëm për Manastirin e Deçanit që Kosova të përparonte drejt KiE-së, por vlerësoi se kërkesa për Asociacion ishte e padrejtë.
“Nuk jemi pishman e kemi kaluar një fazë mendoj që është brenda territorit të Kosovës është në Deçan dhe po ka qenë një konsensus i dhembshëm për ne të cilët kemi dalë dhe kemi protestu mirëpo siç ka thënë edhe kryeministrit Kurti ne i kemi thirr arsyes, meqenëse kemi pas një KE e kemi pranu dhe kemi vazhdu tutje mirëpo pastaj besoj që shtetet demokratike të cilat realisht e kanë përkrahë Kosovën e kanë vendos një kusht besoj të padrejtë në raport me ne”, tha Rexhaj.
Kosova nuk e ka kaluar hapin e fundit për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Me gjithë votimin e suksesshëm pro anëtarësimit që është realizuar në Asamblenë Parlamentare, çështja e Kosovës nuk është vendosur në agjendë të takimit të 17 majit të Komitetit të Ministrave, trupë kjo që e ka në dorë vendimin final për anëtarësim në Këshill. Pengesë për t’u përfshirë në agjendë është bërë përcaktimi i Kosovës për të mos përmbushur kërkesën e tri prej shteteve kryesore të Bashkimit Evropian – Gjermanisë, Francës dhe Italisë – që ta përcjell në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe./ Ekonomia Online