REXHEP BOJA – NJË MODEL I KLERIKUT RILINDËS

Jeta 75 vjeçare e Dr. Rexhep Bojës, prijës fetar, diplomat dhe studiues, mbulon një nga periudhat më të rëndësishme dhe më vendimtare, një periudhë kthese në jetën e popullit shqiptar të Kosovës që, siç mund të thuhej, si një hark historik, shkon nga periudha e ripushtimit komunist jugosllav në periudhën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë – një periudhë kjo në të cilën ai nuk ishte vetëm dëshmitar përjetues, por njëkohësisht pjesëmarrës aktiv në ngjarje e procese më të rëndësishme historike. Është kjo periudhë e mbushur dendësisht me zhvillime dramatike për fatin e shqiptarëve të Kosovës, periudhë e përballje me agresionin e shtetit serb, ku roli i Myftiu Rexhep Boja ishte domethënës si në drejtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ashtu edhe në mbështetjen e aspiratave kombëtare gjatë rezistencës civile paqësore dhe luftës së armatosur çlirimtare.

Për dr. R. Bojën kjo nuk ishte vetëm një detyrë e një prijësi fetar, por edhe detyrë e një mendimtari dhe aktivisti të çështjes kombëtare në momentet e ndryshimeve të mëdha, të fundit të Luftës së Ftohtë, e cila riktheu në skenën ndërkombëtare çështjen e atëhershme të pazgjidhur të Kosovës. Personaliteti i Bojës nuk rrezatoi vetëm me veprimtarinë e tij si prijës fetar, me  staturën e mprehtë politike dhe intelektuale, por me mënyrën me të cilën ai reagoi ndaj kohës e sfidave madhore të saj, me mjeshtërinë e faljes, me mendimin e kthjellët politik dhe me sjelljen prej një diplomati të lindur. Boja ishte një klerik jo i zakonshëm, i cili e kishte për tagër dhe detyrë të punonte e të luftonte për interesat e vendit, për interesat e shtetit të Kosovës.

Kush do që të përshkruajë veçoritë e Myftiut Rexhep Boja në historinë e zhvillimeve politike dhe diplomatike të Kosovës,  duhet ta fillojë më mirë nga fundi, le ta fillojmë me vendimin e tij për të hequr dorë nga detyra e prijësit fetar. Që një prijës fetar shqiptar të lërë vullnetarisht detyrën e prijësit fetar dhe t’i përkushtohet me devocion detyrës së ambasadorit të Republikës së Kosovës, është vërtetë e rrallë, e cila kishte ndodhur në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur prijës fetar, duke u nisur nga premisa se gjeografia shqiptare gjendej në Evropë dhe kodi kulturor shqiptar kryekëput evropian, u shquan sa si prijës fetar dhe po aq edhe si prijës të lëvizjes për emancipimit kombëtar. Sido që të jetë, Myftiu Rexhep Boja nuk ishte një person i panjohur dhe politikisht pa papërvojë, ai doli në skenë në fillim të viteve 90-të të shekullit 20, kur u zgjodh në krye të Bashkësisë Islame. Që t’ia dilte mbanë, nuk ishte e lehtë përballë presioneve të permanente të shtetit okupues serb. Rexhep Boja ia doli. Ai përfaqëson një biografi të prijësit fetar dhe të diplomatit, që i ngjason modelit të një kleriku rilindës, i cili fenë dhe kombin i sheh një simbiozë harmonike.

Angazhimi kombëtar në momentet më vendimtare për kauzën e Kosovës, është simbol i rezistencës kombëtare kundër përpjekjeve shtetërore serbe për zhbërjen e identitetit kombëtar shqiptar. Rexhep Boja ishte i vendosur deri në kufirin e sakrificës jetësore. Vendimet e matura dhe guximi në momentet më të vështira ishin princip i angazhimit të tij si prijës fetar dhe si diplomat. I urtë, vëzhgues, i heshtur dhe veprues në momentet e duhura. Ai ishte i përkushtuar për t’i shërbyer Kosovës, si kur ajo përballej me agresionin e shtetit serb, ashtu edhe në periudhën e lirisë dhe të pavarësisë. Për këtë, emri i Myftiut Boja i Bashkësisë është i shënuar për kontributin e dhënë në Bashkësinë Islame, në rezistencën tonë kombëtare dhe për mbështetjen e palëkundur të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, formacionit më të rëndësishëm ushtarak-politik shqiptar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Për afro një dekadë punoi si udhëheqës i në rrugën e pavarësimit dhe të mëvetësisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Përmes BIK-ut, Boja do të angazhohet që të gjithë pjesëtarët e saj të kultivojnë dhe zhvillojnë krahas vetëdijes islame, edhe atë kombëtare, duke punuar përherë për ngritjen shpirtërore, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Tek Rexhep Boja mund të gjejmë gjithçka, prijësin e devotshëm fetar dhe njeriun e aksionit politik, përkrahësin e vendosur të rezistencës civile dhe të armatosur shqiptare në Kosovë.

Nëse Rexhep Boja, nga ajo që përfaqëson ai, do të jetonte në periudhën e Rilindjes Kombëtare, ai do të ishte një figurë prominente si Vehbi Dibra, Fan Noli, apo Dom Nikoll Kaçorri. Për këtë arsye ai konsiderohet si model i klerikut rilindës. Myftiu përfaqëson në të njëjtën kohë, një stil karizmatik si prijës fetar edhe në diplomaci. Askush nga njerëzit e trupit diplomatik të Kosovës nuk ishte më i afërt dhe më i pëlqyer se Rexhep Boja, ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ai sillej ashtu siç do të kishin qejf njerëzit e Kosovës; modest, i matur dhe lider me qëndrueshmëri. Xhentiliteti, afërsia dhe ndjeshmëria e tij, po ashtu, ishin karakteristika që e bënin atë një figurë dhe prijës atipik.

Rexhep Boja ishte një nga prijësit fetar dhe diplomatët më inspirues të shekullit të fundit dhe këtij fillim shekulli. Pa dyshim se ai luajti një rol të rëndësishëm duke e vënë përfundimisht në majë interesin nacional të shqiptarëve dhe u shqua si prijës fetar në një nga periudhat më dramatike dhe më të vështira të historisë së Kosovës.

Edhe pse si i tillë, Boja nuk mund të cilësohet vetëm si një prijës fetar dhe diplomat. Ai ishte edhe një mendimtar vizionar, që u përpoq vazhdimisht të vinte në zbatim rezultate e procesit të tij mendor, si dhe parimet a gjurmë të pashlyeshme, tregoi një përkushtim të palëkundur në misionin e tij fetar dhe kombëtar. Por, periudha e viteve nëntëdhjeta, kur Kosova u përballë me brutalitetin e regjimit të Milosheviqit, Boja u bë një shprese drite që ndriçonte dhe mbushet njerëzit me shpresë se Kosova do të bëhej dhe ajo u bë.

E vetmja mënyrë për të shpjeguar dhe kuptuar popullaritetin e qëndrueshëm dhe rëndësinë e madhe të Bojës, siç u bë i qartë edhe pas vdekjes së tij, është zbulimi i aspekteve të veçanta të popullaritetit të tij kompleks. Në fund të fundit, ai ishte ashtu siç shpërfaqej në publik, autentik, i guximshëm, i vërtetë, real, në një mënyrë, që shumica e njerëzve vetëm mund ta aspirojnë.

Ai është një shembull inspirues në histori, që një prijës fetare jo vetëm që e pavarësoi Bashkësinë Islame të Kosovës, por edhe e kuptoi saktë fundin e regjimit jugosllav komunist jugosllav në fund të viteve 90-të. Kjo periudhë ka rrëndësi të dyfishtë për historinë moderne të Kosovës Nga njëra anë, shënon dështimin e përpjekjeve reformiste në Jugosllavi, dhe nga ana tjetër, përfaqëson pikën kulmore të rezistencës civile dhe të armatosur shqiptare, e cila, çoi Kosovën drejt pavarësisë, duke përmbyllur kështu shkërmoqjen e pjesës së fundit të Versajës.

Brenda caqeve të një shkrimi (kumtese) është vështirë të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse figura dhe kontributi i Myftiu Rexhep Boja. Për këtë arsye në shkrimin tim  do të përpiqem vetëm të shtrojë problemin; vëmendjen e kemi përqendruar  në disa karakteristikat më kryesore të Rexhep Bojës, të cilat në vija të përgjithshme ravijëzojnë kontributin që ai dha në predikimin e një islami tradicional në Kosovë dhe rolin që ai luajti edhe në fushën e diplomacisë së re kosovare për njohjen e shtetit të ri kosovar nga shtetet e Lindjes së Mesme dhe integrimin e tij në organizata rajonal dhe ndërkombëtare. Në të gjitha fushat me veprimtarinë e tij fetare, diplomatike dhe shkencor, me të cilat është marrë deri në fund të jetës, ka lënë gjurmë. Janë katër tipare atipike që kam listuar këtë punim mbi profilin më karizmatik të Rexhep Bojës, prijës fetar dhe ambasador i Kosovës.

Prijës karizmatik dhe me vizion i BIK-ut

Si figurë fetare dr. Rexhep Boja doli në skenë në kapërcyellin e dy epokave të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar në Kosovë, në periudhën rrënimit të autonomisë së Kosovës në fund të viteve 80-të të shekullit 20 dhe periudhës kur elita intelektuale dhe politike u bashkuan për të çuar Kosovën në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë. Boja erdhi në krye të BIK-ut në vitin 1990, kur Kosova po zhvillonte rezistencën civile kundër okupimit serb. Në këtë detyrë Boja hyri me energji dhe me mprehtësi politike, me horizont të gjerë kulturor dhe historik, duke e kthyer BIK-un në qendër të rëndësishme komunikimit dhe të koordinimit të rezistencës kolektive të shqiptarëve ndaj regjimit serb të Milosheviqit.

Ishin vitet kur refuzimi i shqiptarëve po rritej hap pas hapi, prandaj rezistenca shqiptare në Kosovë kishte nevojë për forcimin e bashkimit  më të madh të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje në luftë për përmbysjen e sundimit serb. Në radhët e lëvizjes së përgjithshme patriotike po përfshiheshin një numër e më i madh edhe i njerëzve të fesë, të cilët për të arritur qëllimin e lartë; çlirimin e vendit, ditën të ruanin pastërtinë dhe karakterin e luftës çlirimtare. Duke qenë në krye të BIK-ut, Boja diti të ndërtonte në klimë mirëbesimin mes shqiptarëve të konfesioneve të ndryshme fetare, gjithë duke ndjekur maksimën e rilindësve, se busulla e kombit mbetet forcimi i shqiptarisë. Në një bashkëbisedim me Adem Demaçin, më 14 mars 1994, Boja do të shprehej se shqiptarët patën fat që kishin tri konfesione fetare, duke shtuar se kjo duhet të përdoret drejtë dhe si begati e rrallë. “Me shqiptarët katolikë kemi marrëdhënie të ngushta, sepse na lidh gjaku, vendi, gjuha, historia, kultura e qëllimi i përbashkët,” do të thoshte Myftiu Rexhep Boja, duke shtuar se në rrethanat e vështira kohore nëpër të cilat po kalonte Kosova vlente maksima se “nuk ka atdhe pa fe, por as fe pa atdhe.” Në këtë mënyrë, ai u bë meritor për harmoninë fetare,[1] që ndërmjet karakteristikave  të përhershme dhe thelbësore që u atribuohen shqiptarëve dhe që ka gjetur një vëmendje të veçantë kudo.

Ky profil modern i Bojës, që për shumëçka mishëron vlerat më larta kombëtare dhe kulturore të rilindësve, jepte shpresë se BIK-u, paralelisht me misionin fetar, do të ndiqte interesin e shqiptarëve dhe do të mbetej gardiane e fuqishme e kultivimit të islamit tradicional në Kosovë, të një islam human, të një islami do ishte në shërbim të humanizmit dhe njëkohësisht të një islami që nuk e amortizonte kauzën nacionale të Kosovës. Në këtë kontekst, figura dhe karizma e Bojës u bë përcaktuese në forcimin e pavarësisë dhe të identitetit të BIK-ut, identitet ky që kontribuoi njëkohësisht edhe forcimin e identitet kombëtar shqiptar në periudhën më të vështirë të përpjekjeve shtetërore serbe për akulturimin e shqiptarëve.

Në kohë të vështira, ai arriti të mobilizojë dhe frymëzojë njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë, duke krijuar një ndjenjë bashkimi dhe shprese. Ishte një fat i madh për vendin dhe për komunitetin mysliman që, në periudhën më të vështirë dhe të kthesave vendimtare për Kosovën, në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ishte Myftiu Rexhep Boja.[2]  Bashkësia Islame e Kosovës, nën drejtimin e tij, përbënte një burim shprese për të mbajtur gjallë zjarrin e rezistencës kombëtare dhe për të afirmuar aspiratat e një populli që dëshironte lirinë dhe pavarësinë.

Rexhep Boja ishte një lider fetar me një vizion të qartë për kombësinë dhe atdheun. Ai e kuptonte se identiteti kombëtar dhe interesi i përgjithshëm i shqiptarëve ishin më të rëndësishme se çdo ndarje fetare. Duke ndjekur parimet e rilindësve, ai promovonte një bashkim që kalonte përtej besimeve individuale, duke vendosur shqiptarinë dhe atdheun në krye të prioriteteve. “Fe e Atdhe”, pra, ka qenë gjithmonë deviza e myftiut Boja.

Me këtë përkushtimin dhe orientimin të qartë intelektual dhe kombëtar, Boja na shfaqet si pasues në përmasat e klerikëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare, kur krahas angazhimeve të tyre fetar, çështja e kombit mbetej orientim jetësor. Me këtë profil ai na kujtonte modelin e klerikëve të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si Vehbi Dibra, një intelektual dhe kryemyfti i parë i Shqipërisë dhe delegat në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Fan Noli, letrar, politikan dhe prift ortodoks, i cili ia doli ta vuloste pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, Dom Nikoll Kaçorri, prift katolik, politikan dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, apo klerikut bashkëkohor katolik, Imzot Mark Sopi, i cili udhëhoqi Kishën Katolike Shqiptare, duke mos e ndarë asnjëherë çështjen shpirtërore nga ajo atdhetare.

Në këtë kuadër, dr. Rexhep Boja lidhte një nga periudhat më të ndritshme dhe më të vështira të historisë sonë kombëtare, duke mësuar se fetë nuk janë të liga në esencë, por mënyra si u mësohen shqiptarëve dhe se të shtrembëruar i bën ato të rrezikshme për jetën. Kështu, mësimet e tij u bënë një busull orientuese në rrugëtimin tonë.

Rruga nëpër të cilën ka kaluar BIK-u është e njëjtë me atë të Kosovës. Ndërsa pavarësia e këtij institucioni fetar, të cilit duhet njohur kontributi madhor në mbështetjes e rezistencës civile dhe të armatosur në Kosovë kundër agresionit dhe hegjemonizmit të shtetit serb. Në këtë mes, emri i Bojës qëndron si një testament dhe dëshmi e këtij rrugëtimi të përbashkët historik. Ai mbetet një model dhe një figurë fetare dhe politike inspiruese për brezat e rinj.

I përkushtuar për kauzën e Kosovës

Fillimi i viteve ka një rëndësi të madhe për Kosovën. Nga njëra anë shënon shpërbërjen e autonomisë së Kosovës nga shteti serb dhe disfatën përfundimtare të përpjekjeve serbe për të ndërtuar një qeveri shqiptare në Kosovë lojale ndaj Beogradit. Kur u bë e qartë se Kosova po humbiste çdo gjë, atëherë populli shqiptar i Kosovës u bashkua vërtet dhe i bëri të qarta kërkesat e tij të vërteta. Në periudhën vijuese humbi rëndësia nëse ishe reformator komunist, kundërshtar kryesor i komunizmit jugosllav, patriot apo prijës fetar. Shqiptarët, pavarësisht nga bindja politike ose besimi, po përndiqeshin nga shteti serb. Në të njëjtën kohë, kjo periudhë përfaqëson pikën kulmore të kohezionit nacional përballë agresionit shtetëror serb. Në këtë fatkeqësi  që e kishte goditur vendi, Boja nuk mund të shtirej indiferent, sikur nuk i interesonte asgjë përtej shërbesës fetare. Ishte pikërisht kjo ndjenjë që e mobilizoi Myftiun Rexhep Boja dhe e hodhi në vorbullën e veprimtarisë publike. Ishte kjo periudhë kur raca shqiptare në Kosovë nxori shumë njerëz të shquar, emrat e të cilëve bënë historinë.

Rrethanat e vështira të viteve nëntëdhjeta të shekullit 20 dhe ndryshimet gjeopolitike në nivel ndërkombëtar, përkatësisht rënia e Murit të Berlinit, ndryshimet në Evropën Lindore dhe shpërbërja e Jugosllavisë, krijuan një situatë për hapjen e çështjes së Kosovës. Është periudha kur raca shqiptare do të jepte emra të shquar nga fusha e politikës, kulturës dhe religjionit, të cilët do të shënojnë kthesë politike në rrugëtimin e Kosovës drejt arritjes së objektives madhore për çlirim kombëtar, orientimin pro-perëndimor të afishuar nga shkrimtari dhe kritiku i njohur, Ibrahim Rugovë, një intelektual dhe udhëheqës modern i shqiptarëve, dhe më pas të pasuar edhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila gjeti legjitimimin e saj politik në Konferencën ndërkombëtare të Rambujesë përmes liderit të saj politik, Hashim Thaçi, do të përplotësohet me diskursin e qarte properëndimor dhe rezonin e qartë shtetëror të BIK-u, ku në krye të saj ishte ngjitur Myftiu Rexhep Boja, njeriu që me staturën e një prijësi të devotshëm fetar do ta mbante larg  komunitetin mysliman të Kosovës nga ndikime dhe politizime të shteteve dhe grupeve radikale të cilat orvateshin të dëmtonin kauzën kombëtare të Kosovës. Falë këtij vizioni, ky prijës fetar do të na shpërfaqte edhe si një mbështetës i luftës së madhe nacionale, luftës çlirimtare  të UÇK-së, e cila, si njëherë më parë, vuri në lëvizje qendrat ndërkombëtare të vendosjes dhe u bë katalizator i bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të shtetit hegjemonist serb. Boja, në takime zyrtare dhe intervista për media në gjuhën arabe, si në kohën kur ishte myfti ashtu edhe si ambasador, luajti një rol të rëndësishëm në perceptimin për Kosovën në vendet e Lindjes së Mesme, duke e prezantuar çështjen e Kosovës para publikut arab. Ai nuk hezitonte të thoshte të vërtetën e Kosovës, duke bërë thirrje për një presion më të madh ndaj shtetit serb dhe duke kërkuar një ndërhyrje ndërkombëtare si preventiv për të evituar një Bosnjë të dytë në Kosovë.

Ky angazhim global i Bojës nuk ishte si rrjedhojë e bashkëpunimit të tij të ngushtë me institucionet akademike, politike në Kosovës, të cilat tek BIK gjeni një partner dhe një mbështetës të përhershëm në organizimin e takimeve dhe aktiviteteve kulturore, shkencore dhe politike. Jo rastësisht, BIK-u u bë adresë e rëndësishme e mbështetje politike dhe financiare për formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke vendosur interesin e vendit mbi gjithçka tjetër, Boja u bë simbol i unitetit, qëndresës dhe pajtimit kombëtar, duke kultivuar një komunikim dhe relacion me ideologun e lëvizjes paqësore profesor Fehmi Aganin, me intelektualin e njohur Pajazit Nushin, rektorin e UP-së, profesor Ejup Statovcin.

Boja e donte Amerikën. Ideja e “shpirtit sllav” ishte e huaj për të. Ai ishte i vetëdijshëm se ideja e panserbizmit, që infektoi aq shumë politikën serbe në Beograd në fund të shekullit 20, mund të frenohej vetë nga politikë e vendosur amerikane. Angazhohej për të krijuar lidhje të reja të vendit të tij me pjesën tjetër të botës, me Perëndimin dhe veçanërisht me SHBA-të. Ky orientim pro-perëndimor e bënte tepër të veçantë figurën e tij edhe si ambasador i Kosovës në Arabinë Saudite. Argument i njëjtë, që gjendej në themel të përpjekjeve për t’u futur në BE, rreth identitetit themelor të vlerave dhe kulturave, formonte edhe bazën e mendimit politik të Bojës rreth Bashkimit Evropian.

Boja u bë një nga pikat qendrore për ambiciet properëndimore të Republikës së Kosovës. Gjatë viteve të pas pavarësisë, edhe pasi kishte lënë postin e kryemyftiut,  ai ishte një mbështetës i vendosur i pavarësisë së BIK-ut dhe një kritik ndaj asaj, që e shihte si mendjengushtësi, e cila shfaqej në formën e një islami radikal dhe politik.

Shpallja e pavarësisë dhe çështja e sigurimit të njohjeve të saj e aktivizuan edhe më shumë. Prej dekadash ai kishte krijuar lidhje me prijës fetarë, intelektualë dhe diplomatë të shquar të vendeve arabe në Lindjen e Mesme, lidhje këto të cilat i përdori për kauzën e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe për integrimin e saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë proces, ai la gjurmë, të cilave do t’u referohen diplomatët dhe studiuesit e ardhshëm të diplomacisë kosovare.

Me devocionin e tij për kauzën e Kosovës, jo vetëm që kontribuoi në afirmimin e kërkesave të popullit shqiptar në Kosovë, por gjithashtu e forcoi imazhin e tij si lider të besueshëm dhe të respektuar në të gjitha rrethanat dhe detyrat. Ai u bë një testament i një niveli të lartë të përgjegjësisë politike, sociale dhe etike.

Protagonist i pajtimit të gjaqeve në vitet ’90

Në vitet 90-të të shekullit të kaluar kur ndjenjat e hakmarrjes ishin të forta, dr. Boja u bë një protagonist i dialogut dhe pajtimit, duke promovuar një kulturë të paqes dhe bashkëjetesës. Pajtimi i gjaqeve është thelbësor për stabilitetin shoqëror dhe për ndërtimin e një ambienti më paqësor. Në këtë periudhë të vështirë për Kosovën, kur ndjenjat e hakmarrjes ishin të thella dhe tensionet ndërmjet familjeve hakmarrëse ishin në kulmin e tyre, sërish na shfaqet si një meteor prijësi fetar Rexhep Boja. Njerëzit e atdheut e donin Bojën. Ata donin për urtësinë dhe mesazhin që i përçonte vazhdimisht. Atë e kërkonin në çdo tubim. Ai bashkë me profesorin Anton Çetta, drejtuesin kryesor të lëvizjes për pajtim, me Mulla Idriz Kakrrukun, Dom Lush Gjergjin dhe prijës të tjerë fetarë dhe intelektual të vendit mbollën shpresën se atdheu mund të bëhej dhe se mund të mundej errësira serbe.

Pjesëmarrja e tij aktive në këto procese pajtimi e bëri atë një figurë të njohur dhe të respektuar, e cila kishte aftësinë të sillte njerëz të ndryshëm së bashku për të diskutuar dhe zgjidhur mospajtimet. Angazhimi i tij për të promovuar pajtimin ndihmoi në krijimin e një kulture të paqes dhe tolerancës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të stabilitetit në Kosovë. Roli i tij në këtë proces është një shembull i qartë se si dialogu dhe bashkëpunimi mund të sjellin ndryshime pozitive dhe të krijojnë mundësi për një të ardhme më të mirë.

Kjo aftësi për të ndihmuar në shuarjen e konflikteve dhe ndihmën e bashkëpunimit ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore ishte një testament i fuqisë së tij si lider.

Nga Prishtina në Riad

Katër vite pas deklarimit të pavarësisë së Kosovës, një burrë i pashëm dhe me kulturë të lartë komunikimi, u emërua ambasador i Republikës së Kosovës në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad. Atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e patriotizmit, e shtyjnë Myftiun Rexhep Boja të pranonte ofertën për ambasador të parë në Lindjes e Mesme, rajon ky me peshë të veçantë dhe një shesh betejë për njohje të reja të shtetit më të ri evropian, Republikës së Kosovës. 

Boja vinte në botën diplomatike të Riadit nga një mjedis shqiptar i Kosovës, ku për shumë vite kishte qenë kryetar i Bashkësisë Islame dhe myfti i Kosovës, anëtar i Këshillit Transitor të Kosovës të formuar nga OKB-ja si dhe në funksione të tjera publike, akademike dhe fetare. Krerët e institucioneve të Kosovës kishin për të një nderim të thellë. Nderimi vinte kryesisht nga dija që ai rrezatonte mes njerëzve të vendit.

Rexhep Boja ishte një diplomat me aftësi të shkëlqyera, i njohur për komunikimin efektiv me vendet arabe. Vazhdimisht promovonte interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke ndihmuar në krijimin e lidhjeve të forta dhe të besueshme me këto vende. Aftësitë e tij diplomatike dhe strategjitë e mençura e bënë atë një zë të rëndësishëm në përpjekjet për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ai arriti të krijojë lidhje të forta ndërkombëtare për Kosovën. Ai dinte ta lexonte saktë situatën politike dhe të promovonte interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke kontribuar në njohjen e saj nga vendet arabe.

Një diplomatë i suksesshëm si Rexhep Boja ka një meritë të madhe në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe në krijimin e mbështetjes për Kosovën. Roli i tij si ambasador ndihmoi gjithashtu në promovimin e vlerave dhe identitetit shqiptar në një kontekst më të gjerë, duke siguruar që zëri i Kosovës të dëgjohej në nivele më të larta diplomatike, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik.

Në Konferencën e Ambasadorëve që e mbajtëm në Prishtinë, Boja do ishte figura kyçe së bashku me një staf të ri, disa me njohuri të arabishtes, për ta bërë një analizë dhe plan veprimi për njohjen e Kosovës nga shtetet islame. Në fakt, kjo punë duhet të përfshihej në dokumente më të gjera, e njohur si Strategji për njohjen e Kosovës, i vetmi i bërë deri më tash që 17 vite pavarësi. Strategjia kishte një plan konkret veprimi me qëllime dhe objektiva të matshme, analiza për vende veç e veç që nuk e kishin njohur Kosovë,n si dhe për çdo personalitet vendimmarrës me rëndësi.

Në shumë pikëpamje Rexhep Boja  është një prej shëmbëlltyrave më interesante të diplomacisë kosovare në veçanti, kurse të kulturës dhe të historisë sonë të re, në përgjithësi.

Model për ta ndjekur

Rexhep Boja përfaqëson idealet e një lideri të vërtetë, duke e vendosur interesin e Kosovës mbi çdo gjë tjetër. Me veprimet dhe qasjen e tij, ai mbetet inspirues dhe shembull për vlerat e larta, përkushtimin dhe sakrificat e vazhdueshme për kauzën kombëtare. Një personalitet model si Rexhep Boja krijoi një standard dhe promovoi vlera të larta si ndihma, bashkëpunimi dhe përgjegjësi sociale. Ai inkurajon edhe sot për angazhimin qytetar për të mirën e përgjithshme, duke treguar se çdo individ ka potencialin të kontribuojë për ndryshime pozitive në shoqëri. Vlera e tij si model do të mbetet në kujtesën kolektive si një frymëzim për të rinjtë, duke i nxitur ata të kenë besim në fuqinë e veprimit dhe angazhimit për kauzën e përbashkët. Boja na kujton se liderët e vërtetë janë ata që veprojnë me guxim dhe përkushtim për të mirën e komunitetit dhe të atdheut pavarësisht pozicionit apo statusit publik që gëzojnë.

Boja tregon se si individët me vizion të qartë politik dhe intelektual dhe përkushtim mund të sjellin ndryshime të mëdha në shoqëri dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për vendin. Ai prore mbetet një personalitet model për ta ndjekur.

Në përfundim

Prirjen e tij të rrallë, kulturën e gjerë dhe tërë jetën ua ka kushtuar fushave të ndryshme të krijimtarisë dhe është marrë me veprimtari shkencore dhe me veprimtari politike dhe fetare. Dr. Rexhep Boja është një dëshmi e fuqisë së liderëve të vërtetë, të cilët me veprimet, angazhimet dhe principet e tyre ndihmojnë në formimin e një shoqërie më të lirë, më të drejtë dhe më të barabartë. Ishin pikërisht këto tipare që na mbajtën bashkë dhe të ecnim përprara gjatë atyre viteve të vështira të dekadës së fundit të shekullit 20, të ecnim me shpresë drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Me plot kuptimin ai ishte një klerik me profil rilindësi, i cili fenë dhe kombin i vuri në një relacion harmonik , duke i dhënë një sinergji të vazhdueshme për interesin e kombit dhe për të ardhmen më të mirë të Republikës së Kosovës.

Autori i këtij shkrimi është profesor i Historisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe ish-shef Misioni në Ambasadën e Kosovës në Tiranë. Ky shkrim është kumtesë e tij e mbajtur në Konferencën Shkencore për Rexhep Bojën, e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, më datë 19 tetor 2024.


[1][1] Malcom, Noel,  Mitet e identitetit kombëtar shqiptar, f. 114.

[2] Në 1991 Rexhep Boja zgjidhet kryetar (Myfti) i Bashkësisë Islame të Kosovës, funksion të cilin e ushtroi për tri mandate rresht deri më 2003. Shih:

Të fundit nga rubrika