Gati pesë vjet brenda katër mureve e përballje me akuzat për krime të pretenduara të luftës për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithatë, Rexhep Selimi është optimist që drejtësia do të triumfojë. Kështu ka thënë avokati i tij në Gjykatën Speciale në Hagë, Geoffrey Roberts.
Roberts: Rexhep Selimi është optimist
“Mendoj se çdo njeri që është i ndaluar, larg familjes së tij për katër vjet e gjysmë, do të ketë një ndikim të rëndësishëm në jetën e tij. Ai është arrestuar në fillim të nëntorit 2020, por ka ndjekur procedurat, ka marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore, ka ndjekur dhe ka bashkëpunuar me çdo drejtim nga paneli në gjykatë. Por në një nivel personal, ai është optimist, është pozitiv, ashtu siç jam unë, dhe sigurisht shpreson që drejtësia të ndjekë rrugën e saj. Marrja e një vendimi merr kohë, por që në fund do të rezultojë me vendimin që ne shpresojmë”, ka thënë Geoffrey Roberts – Avokat i Rexhep Selimit.
Në sallën e gjyqit për dy vjet, Prokuroria i pati 125 dëshmitarë. I rezervuar për çka u tha në seanca private, megjithatë, avokati thotë se asnjëri nga ta, nuk e akuzoi drejtpërdrejt Selimin.
Mbrojtja do të kërkoj rrëzimin e gjitha akuzave, mënjëherë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar të mbyll çështjen me 15 prill.
Roberts: Nuk kemi marrë ende vendim për dëshmitarët
“Siç e dini, ky është një proces kundërshtues, barra bie mbi prokurorinë për të provuar akuzat përtej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe kemi këtë proces fillimisht, procesin e Rregullës 130, ku do të kundërshtojmë akuzat dhe të kërkojmë gjykatës që të tërheqin disa ose të gjitha ato akuzat. Vetëm pasi të ketë marrë një vendim gjykata, ne do të mund të marrim një vendim nëse kemi nevojë të thërrasim dëshmitarë të mbrojtjes dhe nëse po, kush dhe sa dëshmitarë”, ka thënë Geoffrey Roberts – Avokat i Rexhep Selimit.
Para gazetarëve ai tha edhe se do të diskutohet tërheqja e pikës ku UÇK quhet ndërmarrje kriminale. Ai foli edhe për dëshmitë që u pranuan nga Gjykata vetëm në formë të shkruar.
Roberts: Çfarë peshe duhet të kenë dëshmitë që nuk janë dhënë drejtpërdrejt individët
“Mendoj se një nga çështjet më të mëdha që do të doja të ngrija është sasia e provave që është paraqitur në këtë rast në format shkrimi. Sigurisht, nëse një dëshmitar është aty në gjykatë, mund ta pyetni dhe ta sfidoni. Nëse deklarata vjen, nuk mund ta përballë, t’i bësh pyetje një cope të letrës. Duhet të adresohet sa peshë duhet t’i jepet atyre dëshmive që nuk janë paraqitur drejtpërdrejt nga individët, kjo do të jetë një pyetje për gjykatësit qe ta përcaktojnë në kohën e duhur”, ka thënë Geoffrey Roberts – Avokat i Rexhep Selimit.
Mbrojtja po shpreson gjithashtu se pas përfundimit të provave të Prokurorisë, mund të konsiderohet edhe lirimi i përkohshëm i ish-krerëve të UÇK-së.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej vitit 2020. Ata akuzohen për krime të luftës, akuza për të cilat secili prej tyre është deklaruar i pafajshëm.