Rezoluta për Srebrenicën pasditen e së enjtes u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, duke e shpallur kështu 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Agim Nesho, ish-ambasador në OKB, ka theksuar rëndësinë e kësaj rezolute, duke e vlerësuar si një presion të drejtpërdrejtë ndaj Serbisë dhe një sinjal për forcën ndaj forcave revizioniste që kërkojnë të manipulojnë historinë për qëllime të tyre politike.
“Në kushtet aktuale që po kalon bota, ku ka disa konflikte, si nga agresioni i Moskës, dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, por kemi edhe tentativat e forcave revizioniste që kërkojnë ta mbajnë veriun e Kosovës si një konflikt të ngrirë për ta shfrytëzuar dhe ndryshuar të vërtetat historike që vijnë nga fakti i njohjes së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Nesho.
Ai në emisionin “FIVE”, ka thënë se Rezoluta për Srebrenicën është një sinjal që vendos një standard të qartë ndaj krimeve të luftës dhe gjenocidit, duke u bërë një urdhër për drejtësi dhe përgjegjësi ndaj kriminelëve të luftës.
“Kjo është një sinjal direkt presioni edhe ndaj Serbisë, pavarësisht që nuk individualizohet, kjo dihet që krimet e Serbrenicën i kanë bërë forcat serbe dhe këtë nuk e kanë vetëm atje, pasi e kanë vazhduar më tej edhe në Kosovë, e cila ka të njëjtën histori dhe dhimbje nga pushteti kriminal i Millosheviqit. Deri tani kemi parë që regjimi i Vuçiqit ka insistuar tepër që kjo rezolutë të mos kalojë në OKB, gjithnjë nacionalistët e rinj serbë e kanë quajtur si një njollë turpi për popullin serb që nuk duhet ta pranojë, sepse nuk është vetëm një çështje edukuese për të ardhmen, por një çështje historike që mbajnë kombet për veprimtarinë e tyre kur dëgjojnë regjime kriminale që ushtrojnë dhunën dhe nuk respektojnë të drejtat minimale por kryejnë krime ndaj njerëzimit”, ka deklaruar ai në emisionin “FIVE”.
Njësojë ka vlerësuar edhe përfaqësuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare, Amer Aliaj, i cili ka theksuar se rezoluta do të ketë një efekt edukues në përballje me ata që mohojnë krimet dhe gjenocidin në Srebrenicë.
“Më në fund, kjo rezolutë do të ketë një efekt edukues jo drejtpërdrejt për ata persona që kanë bërë krime, por edhe për ata të cilët vazhdimisht tentojnë të glorifikojnë ta mohojnë krimin dhe sigurisht që ky tekst ka parashikuar edhe masat qoftë ndëshkuese por edhe politike, për ata persona që e mohojnë gjenocidin, i mohojnë krimet e luftës, i mohojnë krimet kundër njerëzimit dhe ata personat që i lartësojnë figurat të cilët i kanë duart me gjak”, ka theksuar ai.
Sipas tij, kjo rezolutë do të ndikojë në politikën e presidentëve të Serbisë dhe Republikës Sërpska.
Aliaj gjithashtu ka thënë se është koha që ata që kanë kryer krime të ndëshkohen dhe që viktimat të respektohen dhe të përkujtohen me nderim.
“Përpos ndikimit që do të ketë tek presidenti i Serbisë, do të ketë ndikim edhe tek presidenti i Republikës Sërpska, i cili po në këtë ditë kur është votuar Rezoluta në OKB, i njëjti ka shkuar në Serbrenicë që t’i përkujtojë viktimat serbe që janë vrarë gjatë luftës së Bosnjës, duke bërë paralajmërime të rrezikshme se tenton ta shkëputë Republikën Sërpska si entitet prej Bosnjës Hercegovinës”, ka deklaruar Alijaj.
Gjithashtu, ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, ka potencuar se kemi një vetëdijësim në kuptimin e denoncimit të të gjitha krimeve të luftës, përfshirë këtu edhe gjenocidin kudo në botë.
“Dhe kjo ka bërë që të gjitha shtete të pozicionohen karshi pajtimit dhe paqes, e cila po cenohet çdo ditë e më shumë kudo në botë. Dhe në rastin e Ballkanit në Evropë është Serbia, e cila përveç që nuk ka pasur drejtësi për të gjitha viktimat, ka pasur një thirrje për të madhëruar gjitha ata të cilët kanë qenë krye të ekzekutimeve dhe gjenocidit, duke fuqizuar tutje këta muskuj që i kanë pasur karshi nacionalistë e shovenistë karshi popujve të tjerë”, ka shtuar ajo.
Ismaili ka theksuar se gjenocidet në Bosnjë kanë ndodhur në sy të Kombeve të Bashkuara, dhe se ky miratim sipas saj, ka qenë një shpagim i vogël tejet simbolik që Kombet e Bashkuara ia kanë pasur popullit boshnjak, dhe jo vetëm atyre por të gjithë viktimave të Ballkanit.