Katër gra shqiptare dhe nëntë fëmijë me prejardhje nga Kosova e Shqipëria, që iu kishin bashkuar grupeve ekstremiste islamike që luftojnë në Siri dhe Irak, janë riatdhesuar të premten.
Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Bledar Çuçi, ka deklaruar se operacioni për riatdhesim ishte i përbashkët me Kosovën dhe se këtë operacion e kanë mundësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Ai ka theksuar se, gjithsej, 43 persona deri më tani i kanë kthyer nga kampet siriane.
“Në një operacion të përbashkët që kemi pasur me Kosovën, kemi bërë të mundur pikërisht riatdhesimin e këtyre shtetasve nga kampet famëkeqe, nga ferret më mirë të themi të këtyre kampeve në Siri. Për ne si Shqipëri ka qenë operacioni i katërt që zhvillojmë dhe, gjithsej, bëhen 43 persona që kemi kthyer nga kampet e Sirisë. 43 fëmijë dhe gra që do të jenë pranë gjirit familjarë të tyre”, ka thënë ai.
Tutje ai ka shtuar se Shqipëria është e përkushtuar t’i kthejë në vendin e tyre të gjithë qytetarët e saj që gjenden në kampet siriane.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, është shprehur se ky nuk do të jetë operacioni i vetëm në kuadër të rikthimit të qytetarëve të Kosovës nga kampet siriane.
Sipas tij, të riatdhesuarit do të rehabilitohen dhe deradikalizohen.
“Jam mjaft i kënaqur që ky operacion, përfundoj me sukses qoftë për sigurinë e ekipeve tona, por edhe me rikthimin e qytetarëve tanë, ky nuk është aksioni i parë dhe nuk do të jetë i fundit, ne bashkërisht do të mundohemi t’i kthejmë qytetarët nga dy vendet, puna jonë nuk përfundon këtu, ekipet tona kanë shumë punë, që këta individë që i kthyem të rehabilitohen. Ata që janë të ndikuar të deradikalizohen në mënyrë që të bëhen pjesë e shoqërisë tonë”, ka thënë ai.
Qindra shqiptarë iu bashkuan Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera që luftonin në Siri dhe Irak në fillim të viteve 2010. Shumë prej tyre ishin vrarë, e gratë e fëmijët e tyre kishin mbetur të ngujuar në kampet siriane dhe ato të Irakut.