Këngëtarja, e cila nuk pranoi të përformonte në Super Bowl të vitit 2019, për shkak të solidaritetit me Colin Kaepernick, do të kryesojë në Super Bowl të vitit 2023, njoftoi NFL të dielën së bashku me Roc Nation dhe Apple Music.
“Rihanna është një talent gjeneratash, një grua me fillime modeste që ka tejkaluar pritshmëritë në çdo hap,” tha Jay-Z në një deklaratë. “Një vajzë e lindur në ishullin e vogël të Barbados, e cila u bë një nga artistet më të shquara ndonjëherë. ‘Self-made’ në biznes dhe industrinë e muzikës.”
Super Bowl do të zhvillohet në State Farm Stadium në Glendale, Arizona, më 12 shkurt. Pas vitesh të sponsorizimit nga Pepsi, shfaqja e ardhshme e pjesës së dytë do të sponsorizohet nga Apple Music, njofton AbcNews.
Rihanna kishte hedhur poshtë mundësinë për të performuar në Super Bowl 2019, pasi në atë kohë shumë artistë shprehën mbështetje për Kaepernick, ish-mbrojtësin e San Francisco 49ers, i cili protestoi kundër brutalitetit të policisë kundër njerëzve me ngjyrë dhe pakicave, duke u gjunjëzuar gjatë himnit kombëtar në vitin 2016.
Kaepernick akuzoi NFL-në për bashkëpunim, për ta mbajtur atë jashtë ligës në një çështje që u zgjidh përfundimisht në fillim të vitit 2019.
Ende nuk është bërë e ditur nëse Rihanna do të performojë e vetme apo do të ketë artistë të tjerë sikurse shfaqja e vitit të kaluar në L.A.
Me shitjet prej më shumë se 250 milionë disqesh në mbarë botën, Rihanna renditet si një nga artistet femra me shitjet më të mëdha ndonjëherë. Albumi i saj i fundit ishte “Anti” i vitit 2016, ndërsa në Grammy Awards të vitit 2018 ishte hera e fundit që Rihanna performoi për publikun.
Në vitet që pasuan, Rihanna herë pas here i ka bërë fansat të mendojnë se ajo po rikthehet në skenën muzikore. Në fillim të këtij viti, ajo lindi fëmijën e saj të parë me reperin ASAP Rocky.