Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, ka njoftuar se është kthyer furnizimi me ujë të pijshëm për konsumatorët e rrugëve “Azem Bejta”, “Mbreti Bardhyl” dhe “Tahir Coli”.
Përmes një komunikate, kompania ka njoftuar ka se vërshimet që ndodhën mbrëmjen e së shtunës shkaktuan defekte të mëdha në sistemin e ujësjellësit.
Megjithatë, tashmë janë kryer sanimet e duhura.
“Pas intervenimeve të menjëhershme dhe pas rreth 16 orë punë intensive të specialistëve të terrenit, tashmë furnizimi me ujë të pijshëm është rikthyer edhe për konsumatorët e ‘Asllan çeshme’-së. Dëmtime të evidentuara dhe sanuara me intervenim në sistem furnizues brena kësaj bashkësie, janë regjistruar në rrugët ‘Azem Bejta’, ‘Mbreti Bardhyl’ dhe ‘Tahir Coli’. Respekt për ekipet e punonjësve të KRU ‘Hidrodrini’. Të njëjtit, gjatë punës, janë vizituar për t’u mbështetur për angazhimin vetëmohues edhe nga Kryeshefi Ekzekutiv ing. Dri Cena”, thuhet në njoftimin e “Hidrodrinit”.
Ndryshe, një nënë bashkë me fëmijën e saj 5 vjeç, kanë vdekur të shtunën në Pejë, si pasojë e vërshimeve, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, nëna fillimisht është zhdukur, por është gjetur pas kërkimeve të ekipeve policore në lagjen “Asllan qeshme”.
Përveç tyre, në lagjen “Fidanishte”, po ashtu në Pejë, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital.
Kosova është përballur me vërshime në disa qytete edhe në janar të këtij viti.
Atëherë, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) pati kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mundojë krijimin e një fondi emergjent për komunat, në raste të tilla.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.