Në ditën e hënë, nga ora 16:00, ka nisur procesi i rinumërimit të 50 vendvotimeve, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Deri tani, janë rinumëruar 13 kuti votimi.
Sipas deklaratës së zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezit, për RTK, vendvotimet që janë rinumëruar deri më tani i përkasin komunës së Vushtrrisë.
Gjatë ditës së martë do të vazhdohet me rinumërimin edhe të vendvotimeve të tjera.
Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, KQZ ka miratuar dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimeve.
Fillimisht, është marrë vendimi për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, ku u zhvillua procesi i votimit më 9 shkurt 2025.
Elezi sqaroi se, sipas rekomandimit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve nga Qendrat Komunale të Numërimit, u vërejtën mospërputhje mes numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve dhe numrit të fletëvotimeve në kutitë e votimit.
Për këtë arsye, KQZ ka vendosur që të rinumërohen gjithashtu të gjitha fletëvotimet nga 35 vendvotime të tjera, të cilat i përkasin komunës së Vushtrrisë, për shkak të mospërputhjes në rezultatet e këtyre vendvotimeve.
Procesi i rinumërimit po zhvillohet në prani të vëzhguesve të akredituar.