Ylli i muzikës pop, Rita Ora, ishte e ftuar në emisionin më të shikuar të natës në Amerikë, “The Tonight Show: Starring Jimmy Fallon”, ku foli për muzikën, albumin e ardhshëm dhe martesën me regjisorin Taika Waititi.
Po ashtu, për herë të parë, Rita e zbuloi unazën e martesës për prezantuesin dhe publikun e pranishëm në sallë.
Me një gur të madh të gjelbër dhe gur të vegjël prej diamanti përreth, unaza e këngëtares dukej shumë unike dhe e përshtatshme për karakterin e saj, të një vajzë rebele dhe energjike.
Ndër të tjera, Ora u shpreh jashtëzakonisht e lumtur që e ka gjetur personin me të cilin do ta kalojë jetën. Megjithatë, nuk zbuloi nëse çifti e kurorëzoi dashurinë me ndonjë ceremoni martesore, përveç se tregoi që e ka ndihmuar Waititin që ta përzgjedhë unazën e saj.
Këngëtarja me prejardhje kosovare po ashtu tregoi se albumi i ri del në treg kah fundi i vitit, dhe e sjell një fazë të jetës së saj krejtësisht ndryshe nga ajo që adhuruesit e kanë parë deri më tani.
Pas intervistës me Jimmy Fallonin, Rita e pushtoi skenën me një performancë fantastike të këngës së sapolansuar, “You Only Love Me”.