Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se janë duke i marrë masat e domosdmoshme në mënyrë që ndikimi i krizës energjetike të jetë sa më minimal për qytetarët e Kosovës.
Rizvanolli u shpreh se ulja e konsumit të energjisë në vend është e domosdoshme për ta përballuar sa më lehtë krizën energjetike gjatë muajve të dimrit.
“Pas shpalljes së masave emergjente për energji në vend, e me rekomandime të Komisionit Teknik Emergjent, si Minsitri e Ekonomisë jemi duke marrë të gjithë hapat e domosdoshëm për minimizim të ndikimit të krizës energjetike botërore te qytetarët e vendit”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Përderisa fokusi ynë është përmirësimi i kapaciteteve gjeneruese vendore për të garantuar siguri energjetike, ulja e konsumit të energjisë në vend është kritike për të përballuar sa më lehtë krizën gjatë muajve të dimrit”, ka vijuar ajo.
Rizvanolli tutje ka thënë se bashkërendimi i të gjitha institucioneve e ndërmarrjeve publike është i domosdoshëm për t’u përballur me “situatën e rënduar energjetike”.
Në fotot më poshtë i gjeni masat e Qeverisë së Kosovës për kursim të energjisë të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike, dhe po ashtu masat detyruese për ndriçim publik: