Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e 8 nëntorit në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe deputetët që të votohet vazhdimi i masave emergjente për furnizim me energji elektrike edhe për 30 ditë.
Rizvanolli ka thënë se krahasuar me vitin e kaluar në këtë vit “ka ulje të konsumit të energjisë elektrike për 6%” për të cilin ka theksuar se është trend pozitiv për tejkalim të krizës energjetike, sidomos gjatë periudhës së dimrit.
Ajo ka përmendur edhe skemat e Qeverisë për mbështetjen e qytetarëve për tejkalimin e kësaj krize si thirrjen për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët, për të cilën ka thënë se do të hapet aplikimi sërish të mërkurën si shkak i procedurave teknike për të cilat janë ankuar qytetarët.
“Në funksion të mbështetjes së qytetarëve, Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime, 6 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike, është bërë publike thirrja për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët, për të cilën do të hapet aplikimi sërish”, ka deklaruar ajo.
Ndryshe, të martën e një nëntorit, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka miratuar vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji për 30 ditët e ardhshme, për shkak të krizës energjetike që ka kapluar vendin.
Kjo pasi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte kërkuar në këtë Komision që këto masa nga Qeveria të vazhdojnë.
Por vendimi për vazhdimin e masave emergjente nuk është votuar nga opozita.
Sipas Rizvanollit, si rrjedhojë e motit të mirë në këtë kohë dhe uljes së kërkesës për energji elektrike, çmimi i rrymës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar rënie dukshëm.
Por ajo nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë rritje të çmimeve të energjisë elektrike si shkak i uljes së temperaturave.
“Kemi kërkuar shtyrjen e dytë për masat emergjente, sepse presim që situata të përkeqësohet, kemi parë ulje të çmimeve në tregun evropian, por kjo pritet që të jetë e përkohshme sepse çmimet pritet të rriten”, ka deklaruar Rizvanolli.
Po ashtu, ky komision ka miratuar me shumicë votash projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Projektligj i cili me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është votuar në parim në seancën e 27 tetorit në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, opozita e kishte kundërshtuar këtë projektligj.
Miratohet vazhdimi i masave emergjente për furnizim me energji