Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë prapë reduktime të rrymës.
Në një konferencë për media, ajo tha se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili e kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike, e ka komplikuar situatën.
Sipas saj, ZRrE-ja është duke kërkuar informata shtesë nga gjykata, për ta qartësuar situatën.
Po ashtu, Rizvanolli ka thënë se reduktimet eventuale në muajin qershor, mund të vijnë si pasojë e investimeve në rrjet, dhe jo për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
“Në gjendjen që e kemi momentalisht si pasojë e situatës së krijuar nga masa e përkohshme e vendimit të Gjykatës, mund të vijë deri te jostabiliteti i sistemit dhe reduktimet në momentin që do të kemi nevojë për import, kjo është diçka për të cilën e kanë ngritur si shqetësim operatorët e tregut dhe Kostti”, ka thënë Rizvanolli.
E pyetur se si do të faturohen qytetarët tash pas vendimit të Gjykatës Themelore, ajo ka thënë se kjo është përgjegjësi e ZRrE-së.
Ministrja e Ekonomisë u shpreh se ekziston një keqkuptim në publik se vendimi për tarifat e reja nga ZRrE është shpallur i paligjshëm nga gjykata. Sipas saj, vendimi i gykatës vetëm e ka shtyrë zbatimin e vendimit, deri në një vendim të ri përfundimtar.
“Kjo çështje idealisht do të ketë zgjidhje sa më shpejt, dhe gjykimi përfundimtar shpresoj se është meritor, ekziston një keqkuptim në publik, se vendimi për tarifa është shpallur i paligjshëm, gjykata e ka marrë vendimin dhe në një masë të përkohshme e ka shtyrë zbatimin e vendimit, derisa të merret vendimi. Unë shpresoj që secili vendim të merret sa më shpejt që është e mundur”, tha ajo.
E para e ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, në fund foli edhe për banorët e Obiliqit, të cilëve iu ishte premtuar se do të paguajnë tarifa më të lira se banorët e qyteteve të tjera. Ajo, tha se për këtë çështje duhet të gjendet një zgjidhje tjetër jotarifore.
Ndryshe më datën 18 Maj të vitit 2022, Gjykata e Apelit, e kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte pezulluar vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 prill të këtij viti, kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses dhe propozueses, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Gjithashtu, ZRrE-ja më 9 shkurt kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike, ndërsa në vazhdën e krizës botërore energjetike kishte miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, për të cilat kishin thënë se do të ishin të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2023.