Rizvanolli: Në Trepçë kanë hyrë më shumë se 100 milionë euro që nga paslufta, një pjesë e tyre u avulluan

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rrizvanolli, ka thënë se keqpërdorimet në Trepçë i takojnë së kaluarës, teksa ka shtuar se me Qeverinë Kurti kjo ndërmarrje do të ketë vetëm suksese

Ilustrim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rrizvanolli, ka dhënë detaje në lidhje me problemet në Trepçë në minierën e Statërgut.

Ajo ka thënë se me 27 janar të këtij viti “ka pasur prishje të kabllos së energjisë elektrike në mes horizonteve 5 e 7 të minierës, kabllo kjo 70 vite e vjetër”.

Sipas saj, menjëherë pas këtij aksidenti ka reaguar menaxhmenti “duke rivendosur kabllo të re prej 180m, brenda disa orësh pas prishjes, si dhe duke instaluar sistemin e pompimit për largimin e ujërave nga miniera”.

“Me këto ndërhyrje dhe punën e vazhdueshme të punonjësve aty, niveli i ujit po ulet. Mirëpo, deri sa uji të largohet plotësisht, xehet nuk mund të barten për në flotaction. Ndërkohë, menaxhmenti është duke marrë masa shtesë për të vendosur kabllo alternative në tërë gjatësinë e kabllos nga horizonti 1 deri në horizontin 11, me gjatësi prej 1000m”, ka thënë ajo.

Ministrja Rizvanolli është shprehur se nuk janë të vërteta pretendimet se në Trepçë nuk punohet dhe se ka keqmenaxhim, teksa shtoi se është ofendim për punëtorët e Trepçës të thuhet se privatizimi është zgjidhje.

Ajo i ka akuzuar pushtetet e kaluara se kanë investuar mbi 100 milionë euro në Trepçë dhe se një pjesë e tyre edhe janë keqpërdorur.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Po ashtu, sipas saj, ka pasur keqpërdorime edhe me tokat e Trepçës, ku sipas saj “dhjetëra prona të paluajtshme të Trepçës u lejuan të uzurpohen me dekada nga operatorë të ndryshëm”.

“Në Trepçë kanë hyrë më se 100 milionë euro të taksapaguesve që nga paslufta, por çuditërisht nuk ka pasur asnjë investim serioz që nga viti 2008. Një pjesë e madhe e tyre me gjasë thjesht u avulluan. Mbetjet e vlefshme u shitën për vlera qesharake, e në mënyrë të jashtëligjshme. Tokat e Trepçës u dhanë me qira për eksploatim nga operatorët privatë. Dhjetëra prona të paluajtshme të Trepçës u lejuan të uzurpohen me dekada nga operatorë të ndryshëm. Trepça nuk kishte rregullore të punës, rregullore për menaxhim të pronës, e pothuajse për asgjë tjetër, sepse kështu ishte në interes të atyre që e kanë vjedhur e zhvatur Trepçën pamëshirshëm e në mënyrë të paskrupullt ndër vite”, ka shkruar ajo.

Trepça, sipas ministres, nuk u auditua nga Zyra e Kombëtare e Auditimit që nga viti 2012, dhe se me ardhjen në pushtet të kryeministrit Albin Kurti, ky auditim i performancës u realizua.

“Trepça nuk ka problem me pronësi – publike apo private. Trepça është vjedhur e zhvatur ndoshta më shumë se çdo ndërmarrje tjetër publike, edhe pse kjo nuk ka qenë aq e dukshme sa te disa të tjera, sepse ata që e kanë (keq)menaxhuar janë kujdesur që as dokumentim e auditim si duhet të mos ketë”, ka shkruar Rizvanolli.

Sipas Rizvanollit, me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti, “Trepça e ka kaluar tashmë periudhën e saj të errët dhe ajo ka një të ardhme të ndritshme”.

Ajo ka thënë se Qeveria aktuale është e përkushtuar ta eleminojë krimin dhe korrupsionin përbrenda Trepçës dhe për ta rritur performancën.

Sipas saj, “gjatë këtyre dy viteve kemi parë këtë përparim te Trepça. Është rritur prodhimi e të hyrat, e janë ulur shpenzimet operative”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika