Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur për studimin e fizibilitetit për ngrohje qendrore në 8 komuna, gjë e cila pritet të përfundohet gjatë vitit.
Në takimin me kryetarët e komunave, në të cilin, ishte prezent edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministria e Ekonomisë bën të ditur se pas përfundimit të studimit, do të fillojë puna në projekt të ngrohjeve.
“Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë mbajtur takim koordinues me kryetarët e komunave të Kosovës. Ministrja Rizvanolli foli për studimin e fizibilitetit për ngrohje qendrore në 8 komuna, i cili pritet të përfundohet gjatë vitit dhe me pas do të fillojë puna në projekt të ngrohjeve. Ajo kërkoi nga kryetarët e komunave që të fillojnë të punojnë në lehtësimin e proceduarave, që sa më shpejt të fillojnë investimet në këto projekte”, thuhet në njoftim.
Ndonëse komunat nuk janë specifikuar, thuhet se tashmë, Rizvanolli ka kërkuar nga kryetarët e komunave që ata të fillojnë të punojnë në lehtësimin e procedurave.
“Po ashtu, ministrja Rizvanolli i ka falënderuar komunat, të cilat kanë caktuar personat përgjegjës që t’i asistojnë qytetarët për aplikim për subvencionim të blerjes së pajisjeve efiçiente të energjisë. Si rezultat i kësaj thirrje, janë 8,700 përfitues në të gjithë Kosovën, të cilët janë pajisur me pajisje efiçiente, duke ulur shpenzimet e tyre të energjisë elektrike në 70%, 851 nga të cilët, janë qytetarë përfitues të asistencës sociale”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, lidhur me krizën energjetike, Rizvanolli ka treguar që janë ndarë rreth 95 milionë euro, për t’u përballur me krizën në fjalë.