Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me bashkëpunëtorë ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), të cilët janë mirëpritur nga zv.kryeshefi ekzekutiv, Përparim Kabashi, kryesuesi i Bordit, Arton Ahmeti dhe menaxhmenti i KEK-ut.
“Kabashi ka njoftuar ministren Rizvanolli për gjendjen aktuale, rezultatet e arritura, si dhe sfidat dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u, e me theks të veçantë për implementimin me sukses të projekteve kapitale, si ai i Dilatimeve në Kaldatë e njësive B1 dhe B2 që njëherësh kanë qenë parakusht për implementimin e projektit të Elektro-Filtrave dhe pajisjeve për zvogëlimin e DeNOx-it, si dhe projekti i ndërrimit të zbarrave të Gjeneratorit në njësinë B1 i cili gjithashtu ka përfunduar me sukses”, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Në këtë njoftim thuhet se, përveç projekteve kapitale, në të dy njësitë e termocentralit Kosova B janë kryer edhe një sërë riparimesh të tjera, të cilat ishin planifikuar gjatë remonteve të rregullta vjetore të cilat kanë ndikuar në ngritjen e sigurisë se operimit.
“Në vijim, z. Kabashi ka njoftuar ministren Rizvanolli se remontet dhe revizionet e rregullta vjetore janë realizuar me sukses edhe në njësitë A3 dhe A5 të termocentralit Kosova A, ndërsa në njësinë A4 është duke u realizuar remonti i rregulltë vjetor konform dinamikës së planifikuar dhe pritet të rikthehet në operim në fillim të muajit dhjetor”, thuhet tutje në njoftim.
Zv.kryeshefi ekzekutiv, po ashtu, ka njoftuar se edhe Divizioni i Prodhimit të Qymyrit (DPQ) ka siguruar rezerva të mjaftueshme të qymyrit.
“Prandaj, duke u bazuar në të gjitha përgatitjet e bëra në tri divizionet e prodhimit, nuk ka mëdyshje që furnizimi nga prodhimi vendor do të jetë në nivel edhe gjatë sezonit dimëror”.