Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, e ka quajtur të papranueshëm sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në veri të Kosovës.
Me anë të një postimi në Twitter, Rohde ka thënë se çdo veprim i dhunshëm duhet të ndalet menjëherë duke theksuar nevojën urgjente për de-eskalim të situatës.
“Çdo veprim i dhunshëm kundër NATO-s, KFOR-it, dhe gazetarëve është absolutisht i papranueshëm dhe duhet të ndalet tani – nevoja urgjente për të depërshkallëzuar. Faleminderit të gjitha forcave të KFOR-it në terren. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, shkroi ai.
Any violent action against @NATO_KFOR and journalists is absolutely unacceptable and must stop now – immediate need to deescalate. Thanks to all KFOR forces on the ground. I wish those injured a speedy recovery.
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) May 29, 2023
Në pasditen e së hënës, disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë lënduar gjatë intervenimit për shpërndarjen e protestuesve serbë në Zveçan.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan.
Paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.
Policia e Kosovës nuk ka qenë e pranishme në momentin e intervenimit të KFOR-it kundër protestuesve serbë në Zveçan.