Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde në tryezën e diskutimit me temë “Rruga e Kosovës drejt BE-së dhe izolimi i rinisë” ka thënë se Kosova ka mbështetjen e fuqishme nga Gjermania sa i përket liberalizimit të vizave.
Ndër të tjera, ai ka thënë se Gjermania dëshiron të përshpejtojë procesin që Kosova të bëhet pjesë e infrastrukturës euroatlantike dhe se në kuadër të Procesit të Berlinit është duke punuar në të gjitha frontet.
“Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE. Ajo ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe qëndrimi i Gjermanisë është: Ju i përkisni BE-së, ju i përkisni Këshillit të Evropës. Gjermania dëshiron të bindë vendet që nuk e përkrahin aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por për të qenë nxitës, duhet t’i bëni detyrat e shtëpisë. Dëshirojmë të përshpejtojmë procesin që Kosova të bëhet pjesë e infrastrukturës euroatlantike dhe në kuadër të Procesit të Berlinit jemi duke punuar në të gjitha frontet”, ka thënë ambasadori Rohde.
Ndër të tjera, Rohde ka përshëndetur vendimin për viza që u mor të mërkurën e 30 nëntorit nga ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që të hapet rruga për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Më në fund kosovarët do të mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë jo më vonë se 1 janari 2024. Liberalizimi i vizave nuk do t’u japë vetëm kosovarëve mundësia për të udhëtuar lirshëm si turistë, do të jetë edhe një nxitje për ekonominë dhe bashkëpunimin e studentëve”, ka thënë ai.
Ndryshe, të mërkurën e 30 nëntorit, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të mërkurën, janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Drafti ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës, të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmujore.
Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.
Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat, nuk i ka.
Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtasë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.
ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.