Njohja e shtetit të Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, mbetet një çështje e rëndësishme për konfirmimin e shtetësisë së Kosovës.
Së fundmi kjo është përmendur edhe si kërkesë e kryeministrit të Kosovës, Abin Kurti që të bëhet pjesë e planit evropian për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Në një intervistë për emisionin “Five”, të RTV Dukagjinit, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se BE-ja nuk mund të japë garanci ligjore se një gjë e tillë do të ndodhë.
Kështu duke lënë të nënkuptohet se njohja nga pesë vendet nuk do të jetë pjesë e dokumentit për një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Është e qartë se nuk mund të kërkosh garancion ligjor që BE-ja nuk mund ta jap, se cka është e mundur dhe kjo është diçka e dhënë dhe në njëfarë mënyre e mbështesim plotësisht pavarësinë. Nëse kjo ecë përpara dhe unë i kam parë themelet dhe ato që shpesh në media është cituar se çfarë ka ndodhur në mes të dy gjermanive në vitin 1972. Në atë kohë Gjermania ka qenë në njëfarë mënyre sikurse Serbia, ne i kemi kërcënuar të gjithë ata të cilët e kanë njohur këtë gjermani me tërheqjen e njohjeve. Në momentin kur ka ndodhur kjo, ditën tjetër Franca, Mbretëria e Bashkuar, ShBA-ja, të gjitha e kanë njohur”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shteti i tij është duke e bërë më të mirën e mundshme që pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën të binden për ta bërë një gjë të tillë.
Ai ka konfirmuar se emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, është takuar me përfaqësues të pesë vendeve mosnjohëse për të dërguar këtë temë përpara.
“Nuk është ndonjë arritje e madhe shkencore të garantojmë vendimet e vendeve të tjera, as BE nuk mund të garantoj pozitën e Gjermanisë por është e qartë natyrisht se Gjermania dhe pesë të dërguarit që kanë ardhur këtu, të gjithë janë mbështetës të pavarësisë së Kosovës dhe ne po mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme që t’i bindim ata që nuk e kanë njohur që në rrugë e sipër të lëvizin tutje. E keni parë edhe Lajçakun që është takuar edhe me përfaqësuesit e pesë vendeve të cilat nuk e kanë njohur dhe kjo është përpjekje e përbashkët ta qojmë këtë temë përpara”, ka thënë ai.
Rohde ka thënë se Gjermania e përkrah propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.