Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka konsideruar se Gjykata Speciale nuk po gjykon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por individë.
Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Twitter, ambasadori gjerman ka thënë se “Marshi për Drejtësi”, më 2 prill, ka treguar për një “shoqëri të lulëzuar në Kosovë”.
“E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo demokraci, dhe manifestimi i djeshëm në Prishtinë tregoi një shoqëri civile të lulëzuar në Kosovë”, ka shkruar ai.
“Por dua të ritheksoj: Nuk është UÇK-ja ajo që po gjykohet, por individë që akuzohen për krime të rënda lufte, krime kundër njerëzimit, zhdukje të personave dhe torturë”, ka shkruar tutje Rohde.
The right to demonstrate is essential in any democracy, and yesterdays‘ manifestation in Pristina showed a thriving civil society in 🇽🇰. But I would also like to reiterate: It is not the KLA which is on trial… 1/2 https://t.co/ZFnwxUOlWh
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) April 3, 2023
Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova marshuan të dielën në Prishtinë, nga çdo lagje dhe çdo fshat, me të vetmen kërkesë: drejtësi për liderët e UÇK-së që po akuzohen në Hagë të Holandës për krime lufte.
Ndërsa, të hënën e 3 prillit, shumë shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës kanë marrë rrugën drejt Hagës, për të dalë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi po këtë ditë ka nisur gjykimi i tyre në Gjykatën Speciale.