Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar lidhur me rrahjen e politikanit serb, Nikolla Sanduloviq.
Përmes një postimi në platformën “X”, Kusari-Lila ka thënë se Vuçiq po përdor metoda brutale ndaj atyre që pranojnë të vërtetën e krimeve.
“Vuçiq është një shekull larg pranimit të së vërtetës së krimeve të kryera, ndërkohë që rrezikon ekzistencën e atyre që e bëjnë”, ka shkruar Kusari-Lila.
Lidhur me këtë ka reaguar dhe deputetja britanike, Alicia Kearns, duke thënë se është e shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e politikanit serb.
Lexo dhe: Rrahja e Sanduloviq nga BIA, reagon deputetja britanike
Ajo përmend parregullsitë në zgjedhjet që u mbajtën në Serbi, duke thënë se kaluan “butë” nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimi Evropian (BE).
Ndryshe, familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe, Nikola Sandulovic, kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekret serbe në godinën e BIA-s.
Në mesin e personave të maskuar që e kanë rrahur, Sandulovic ka thënë se e ka njohur Milan Radojçiqin, ish-politikanin serb nga veriu i Kosovës, organizator i sulmit terrorist të 23 shtatorit në Banjskë.