Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se 3 persona janë arrestuar pas publikimit të një video-je, ku shihej një e moshuar duke u keqtrajtuar në Shtëpinë e të moshuarve në Pejë.
Në një lidhje direkte në RTV Dukagjini, Gashi ka thënë se Policia e Kosovës ishte treguar e shpejtë në lokalizimin e vendit me ç’rast, ajo kishte arrestuar tre të dyshuar lidhur me rastin e pasdites të së mërkurës.
“Duke u bazuar në videon që ka qarkulluar në rrjete sociale, policia në një kohë të shkurtër ka arritur të identifikojë lokacionin, ku rreth orës 14:10 ka arrestuar tre të dyshuara lidhur me rastin”, ka deklaruar Gashi.
Krahas kësaj, ai ka thënë se rasti kishte ndodhur më 29 tetor të këtij viti, por ai kishte filluar të qarkullojë në rrjete sociale të mërkurën e 2 nëntorit.
Ndërkaq, bëhet e ditur se pas intervistimin, me urdhër të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e burgimit para 48-orësh.