Një ditë para çlirimit të Prishtinës, komandanti Sali Mustafa i kishte urdhëruar guerilët e njësisë BIA që në tri lokacione ta ngrisin flamurin kombëtar.
Në Velani, tek rruga e Bledit dhe këtu në shkollën Zenel Hajdini në Kodrën e Trimave. 25 vjet pas zbatimit të urdhrit, protagonisti u rikthye, me flamurin e njëjtë, tash edhe me simbolin e shtetit.
Urdhrin e zbatoi një 20 vjeçar që nuk peshonte më shumë se 60 kilogram. Bashkë me Ismail Brahimin dhe me një ushtar tjetër me nofkën “Rudi”, Azem Gashi hipi mbi kulmin e shkollës rreth së cilës për vite ishin sjellë ilegalisht.
“Hypëm në shkollë kemi pasur gjuajtje prej banorëve lokalë serbë kur na kanë parë me flamur kombëtar duke e ngjitur flamurin”, ka thënë Azem Gashi – Pjesëtar i Gueriles BIA i Zonës Operative të Llapit.
Përpos flamurit, pjesëtarët e Guerlies BIA nën ombrellën e Zonës Operative të Llapit, u urdhëruan të vëzhgojnë qytetin, kishte frikë për masakra. 11 qershori është dita e çlirimit. Kushtrimi u lëshua nga komanda e UÇK-së, Zonës Operative të Llapit, e komanduar nga Rrustem Mustafa.
Megjithatë, në lagjet e Prishtinës sipas Azemit kishte frikë e panik tek banorët.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri në kryeqytet, bashkë me ta edhe ushtarët britanikë.
“Kanë qenë të gjithë banorët mbi tanke të KFOR-it, NATO-NATO bërtimat e veta edhe janë gëzu. Por kur jemi dalë ne pjesëtarët e Gueriles BIA ushtarët e UÇK-së e kur na panë neve i kanë harru tanket e KFOR-it. Janë ardhë edhe na kanë përfaqë, na shprehën mirëseradhje edhe na kanë uru ditën e çlirimit…”, ka thënë Gashi.
Megjithatë në shumë pjesë të qytetit ende kishte forca serbe, ushtarë, policë, paramilitarë e edhe civilë serbë që ishin në anën e tyre. Konfuzioni ishte shtuar me hyrjen e forcave ruse nga Merdarja nëpër Prishtinë e më pas në aeroport.
Për këtë kërkohej zgjidhje dhe britanikët kërkonin partner.
Pikërisht në hyrje të shkollës, Bahri Gashi i thotë prijësit britanik se çfarëdo sulmi ndaj popullsisë civile, do të marrë përgjigje nga UÇK-ja.
“Në video biseda ishte e shkurtër, biseda ka vazhduar edhe nesër, ai kurgjo ka lyp prej neve çfarë detyre kemi, çfarë do të bëjmë në rast se ndodh kjo e kjo. Ne kemi qenë bashkëpunues dhe bashkëpunimi ka vazhdu edhe tre muaj të tjerë”, ka thënë Bahri Gashi – Zv. Komandant i Gueriles BIA, ZO e Llapit.
Pasiguri me raste edhe vrasje të civilëve kishte edhe ditëve në vazhdim. Deri afër 20 qershorit fryma e çlirimit u shtri në gjithë Prishtinën, Guerilja BIA e pushoi veprimtarinë.
“Sot fatkeqësia është që Sali Mustafa nuk është këtu është në burg dhe na mungon… (dita e çlirimit pa Calin?) është e rëndë…është… (qanë). Unë besoj se Sali Mustafa do të lirohet do të vijë, dhe jam shumë në qef me e prit atë”, ka deklaruar Gashi.
Gashi me ironi thotë se rreth 300 pjesëtare të Gueriles BIA dalloheshin lehtë nga të tjerët. Shumica nuk peshonin më shumë se 50-60 kilogramë. Në lagjet e Prishtinës ata ishin të pranishëm nga 98’ta, e më herët.
Ish-komandanti i tyre, Salih Mustafa “Cali”, është dënuar nga Gjykata Speciale, me 26 vjet burgim, i cili pastaj i është ulur në 22 nga shkalla e dytë e Gjykatës.