Emri i Alban Rexhës 17 vjeç në kohën e luftës ka mundur shumë lehtë të jetë i skalitur në një gur tjetër varri, pranë babait të tij.
Shtatgjatë e në moshë gati të rritur, edhe Albani ishte renditur për t’u pushkatuar.
Bashkë me babën i renditën pikërisht në këtë mur. Sali Rexha, e dinte çka po i pret. Me zë të vogël, djalit Albanit i pëshpëriti fjalët që ky s’i harron kurrë.
“Baba më tha, kshyre mos të mbesin të dy, se deri këtu e paskim pasë jetën, në munjsh me u largu ti, dy herë kam provu me u largu edhe më kanë kthy. Se unë gjuhën serbe pak e njihja, kur provojsha me dal prej grupit, ma bojke një ushtar “vratise-gore”. Apet më tha provoje se këtu e kemi fundi ne jetës, tha qitu kanë me na vra tanve, baba menjëherë ja ka pre mendja. Të dytën herë kur kam provu me dalë apet më ka kthy”, ka thënë Alban Rexha, i mbijetuar e masakrës.
Tentimi i tretë si thonë për të shpëtuar shpirtin, pati sukses. Hutinë disa sekondëshe të ushtarit, 17 vjeçari e shfrytëzoi dhe u fut në turmën e fshatit, vendosi kapelën në kokë, e hyrë ne mesin e turmës ku ishin gratë dhe fëmijët e fshatit.
“Edhe Albanin e di unë edhe motra edhe motra e vet, edhe gjithmonë Alban o Alban ule kokën se po të vërejnë edhe po të tërhjekin prej neve”, tha Elhame Haradinaj-Kurti, e mbijetuar e masakrës.
Dhjetëra gra e fëmijë të fshatit, burrat u detyruan t’i lënë në fshat, dhe u nisën rrugës për Deçan. Pak minuta më vonë u dëgjuan krismat.
“Edhe prej atij momentit unë kamë dëgjuar krisma, pa ndërprerë kanë qenë krismat, rafallat, edhe aty as 10 minuta prej rasit që kam dal ka ndodhur ajo. Edhe ka pasur krisma të pandërprera, e dijta aty që krejt janë të vrarë”, Alban Rexha, I mbijetuar e masakrës (Baba Sali Rexhaj).
Emri i Alban Rexhës u lexua si i vdekur, deri sa u kthye në qershor. Ndërsa më 2006 e gjeti kufomën e babës. Më rëndë e përjetoi lajmin para dy viteve kur u gjetë një pjesë tjetër e dorës së babës.
Fatin e njëjtë e ndanë edhe Lendita Morina.
Edhe kjo ngrotësinë e krahërorit të babës për herë të fundit e përjetoi në qendër të fshatit Lybeniq.
“Mënyra se si kanë kthyar babai edhe Xhaxhi kanë qenë arkivole të mbyllura, ndoshta në qesë të zeza, eshtr të dëmtuara. Edhe më e rënda për neve ka qenë tash pesë vite kur është kthyer edhe një pjesë tjetër e babit pas një kohe të gjatë pas 10 viteve, është kthy edhe një pjesë tjetër e trupit”, tha Lendita Morina, e mbijetuar e masakrës.
Rrëfime të tilla kanë edhe familajrët e 79 civilëve të vrarë në tri masakra. Shumica prej tyre dëgjohen vetëm në përvjetori, shumë të tjerë zgjedhin të heshtin.