Në videon e regjistruar nga një shpëtimtar palestinez, një britmë vjen nga nën tumat e betonit të copëtuar.
“Unë jam Alma.”
“Mos më ndihmoni fillimisht. Ndihmoni mamin dhe babin tim. Dhe ju lutemi ndihmoni vëllain tim Tarazan. Ai është një fëmijë, 18 muajsh.”
Është mëngjes më 2 dhjetor 2023 dhe 12-vjeçarja Alma Jaroor është varrosur nën rrënojat e një ndërtese pesëkatëshe në qendër të qytetit të Gazës për më shumë se tri orë.
“Dua të shoh vëllezërit dhe motrën time,” bërtet ajo. “Më kanë marrë malli për ta”.
Alma shpëton e para, dhe ajo ngjitet – pa ndihmë – midis pllakave të dhëmbëzuara të betonit dhe shufrave metalike të përdredhur.
Ajo është e mbuluar me pluhur, por nuk ka lëndime të mëdha.
Ata pyesin se ku është familja e saj. Ajo tregon rrënojat djathtas dhe majtas, por duket që tashmë ata kishin vdekur.
Tre muaj më vonë, Alma tregon për BBC historinë e saj, gjatë dhe në detaje.
Xhaxhai i saj Samiu ulet aty pranë. Ajo është strehuar me të dhe familjen e tij në një tendë në Rafah, në Gazën jugore.
Fjalët e saj janë një përrua tmerri dhe humbjeje.
“Më kujtohet se u zgjova nën rrënoja. Kontrollova iPad-in tim dhe pashë se ishte ora 09:00. Shpresoja që vëllai im Tarazan të ishte ende gjallë. Po i thërrisja atij dhe mbahesha për të shpresuar se njëri prej tyre do të ishte gjallë.
“Unë e ndjeja erën e gjakut. Më pikonte. Po bërtisja që dikush të na shpëtonte. Po dëgjoja të tjerët që thërrisnin gjithashtu.”
Por, pasi Alma u shpëtua, ajo pa eshtrat e Tarazanit.
“E ngrita batanijen që e mbulonte. E gjeta në një gjendje të paimagjinueshme”, thotë ajo, “koka e prerë”. Me këtë ajo bie në heshtje, e përhumbur nga ajo që nuk mund të shohë.
“Uroja mos ta shoh vëllain tim ashtu”, thotë ajo. “Ishte vetëm 18 muajsh, çfarë ka bërë në këtë luftë?
Tarazan nuk ishte humbja e saj e vetme. E gjithë familja e saj u largua, u vra krah për krah – prindërit e saj Mohammed, 35 dhe Naeema, 38, vëllezërit Ghanem, 14 vjeç dhe Kinan, 6 dhe motra Reehab, 11.
Prindërit e Almas ishin përpjekur shumë për t’i kapërcyer bombardimet e Izraelit dhe për t’i mbajtur fëmijët e tyre të sigurt.
Të afërmit thonë se ndërtesa ku ata po flinin u rrëzua nga një sulm ajror izraelit. Ushtria izraelite na tha se nuk mund të komentonte mbi këtë pretendim pa koordinatat për ndërtesën.
“Ne ishim të lumtur së bashku si familje”, thotë Alma. “Ne e përqafonim njëri-tjetrin kur ishim të frikësuar. Do të doja t’i mbaja të gjithë. Nuk kisha kohë të mjaftueshme me ta.”
Dhe ajo ende pret t’i varrosë. U gjet vetëm trupi i Tarazanit.
“Kishte 140 refugjatë (Gazas të zhvendosur nga lufta) në ndërtesë dhe vetëm disa prej trupave janë gjetur,” thotë ajo.
“Trupat e familjes sime po dekompozohen nën rrënoja. Kam dëshirë t’i shoh dhe t’i bëj një varrim të duhur.”
Si çdo fëmijë në Gaza, edhe ajo mund të vritet në çdo moment. Veçanërisht të pambrojtur janë ata në Rafah, ku Izraeli vazhdon të kërcënojë me një sulm tokësor. Ajo është shtëpia e 1.4 milionë palestinezëve.