Beogardi është qyteti ku jeton Aleksandër Olenik, një kundërshtar i estabilishmentit politik në Serbi.
Së fundmi, Olenik, që në fakt është me prejardhje nga Ukrania por i lindur në qytetin Kikinda që është një provincë e Vojvodinës, ka arritur të zgjedhet edhe deputet në Kuvendin e Serbisë.
Me profesion është avokat ndërsa në parlamentin serbi, përfaqëson Vojvodinën. Veprimtarinë në Kuvendin e Serbisë e ka shumë të vështirë, ndërsa partnerin më të mirë aty e ka shqiptarin Shaip Kamberi.
“E njoh Shaip Kamberin qysh moti, kemi punuar bashkë për të drejtat e njeriut, kemi luftuar bashkë për të drejtat njerëzore dhe ky bashkëpunim dhe miqësia që e kemi me zotëri Kamberin, do të vazhdoj edhe pasi ta përfundojmë mandatin e deputetit”, ka thënë, Aleksander Olenik, deputet në Parlamentin e Serbisë.
Olenik, ndryshe nga Kamberi, po përjeton përvojën e parë si deputet në Parlamentin e Serbisë.
Të bërit opozitë në një përbërje të tillë çfare ka kjo legjislaturë serbe sipas Olenik, nuk është aspak e lehtë.
“Nuk është e lehtë, sepse ne jemi minoritete dhe shumica e politikanëve në Serbi janë nacionalistë. Unë dhe partia ime nuk jemi të tillë. Unë duhet të them se gjithashtu edhe pjesa tjetër e opozitës është nacionaliste, kështu që ne jemi në mes të partive në pushtet dhe pjesës më të madhe të partive në opozitë. Ne kemi oponentë politik në të dy anët, kështu që kjo e bën luftën tonë edhe më të vështirë se që do të duhej të ishte”, ka shtuar Olenik.
Olenik, përkundër që ka prindër ukrainas, ai asnjëherë nuk jetuar në shtetin i cili që nga shkurti i këtij viti po përballet me një luftë.
Ai është i brengosur që Serbia akoma nuk i ka vënë sanksione Rusisë.
“Ne si qeveri duhet t’i vendosim sanskione Rusisë jo për shkak të Unionit Evropian, por për shkak të vetes tonë. Dhe mbi të gjitha, ne duhet t’i vendosim sanksione Rusisë për shkak të vuajtjeve të cilat ajo ia ka shkaktuar popullit ukranias, për shkak të tyre pra, e më pastaj për të gjitha gjërat e tjera të cilat ajo i ka bërë”, ka thënë Olenik.
Në fillim të luftës, Olenik tregon se kishte më shumë frikë për fatin e Ukrainës.
“Kemi menduar që Rusia do të hyjë më brenda në Kiev, mirëpo e kemi parë që kjo nuk ka ndodhur, sepse korrupsioni atje është shumë i lartë dhe Rusia nuk posedon teknologji të re. Tani, sipas mendimit tim jemi gati tek momenti kur Ukraina do të fitoj”, ka thënë Olenik.
Ndërkohë, deputeti i Parlamentit të Serbisë, është i lumtur me pozicionimin e Kosovës në këtë situatë.
“Ashtu duhet të veprojë Kosova. Të gjithë të tjerët që po qëndrojnë neutral, në fakt nuk janë neutral. E përkrahi Kosovën për këto qëndrime dhe shpresoj që edhe Serbia, sa më shpejtë të ndryshojë opinion dhe qëndrim dhe të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt BE-së”, ka thënë deputeti në Parlamentin e Serbisë Olenik.
Përbërja e re e parlamentit të Serbisë, ka mbajtur mbledhjen e parë në shtator.
Mirëpo, ndryshe nga Parlamenti, Qeveria e Serbisë e dalë nga zgjedhjet e fundit akoma nuk është formuar.
Shkak besohet të jetë edhe presioni për t’i vendosur sanksione Rusisë.