Rreth 11 mijë trupa ushtarak të Koresë së Veriut janë dislokuar në rajonin e Kurskut në Rusi, sipas një raporti të Shërbimit Informativ Kombëtar të Koresë së Jugut.
Ligjvënësi i Komisionit të Inteligjencës Parlamentare të Koresë së Jugut, Lee Seong-Kweun, ka deklaruar se trupat janë zhvendosur në fund të tetorit, pas përfundimit të trajnimit të përshtatjes në terren në Rusinë verilindore.
Përveç trupave, Koreja e Veriut ka dërguar gjithashtu furnizime ushtarake, duke përfshirë raketa dhe artileri me rreze të gjatë.
Siç raporton BBC, thashethemet e para, që u shfaqën në tetor, sugjeruan se trupa të Koresë së Veriut mund të fillonin të mbështesnin luftën e Rusisë në Ukrainë, por nuk ishte e qartë çfarë roli do të luanin ato.
Zyrtarët amerikanë kanë raportuar për një përleshje të ushtarëve të Koresë së Veriut me trupat ukrainase më 4 nëntor.
Megjithatë, autoritetet në Seul thonë se nuk besojnë se ka pasur përleshje të drejtpërdrejta mes të dyja palëve, duke theksuar se ka pasur vetëm një incident të vogël pranë vijës së frontit.
As Moska, as Pheniani nuk kanë komentuar ende këto raporte.