Rreth 2 mijë gra raportuan se kanë përjetuar dhunë gjatë vitit 2023

Dhuna në familje në Kosovë tregon një rritje të shqetësueshme të rasteve, ku gra dhe vajza përbëjnë shumicën e viktimave. Shkaqet sipas sociologut, Labinot Kunushevci, përfshijnë mungesën e integrimit shoqëror dhe mirëqenies, duke sfiduar integritetin dhe barazinë gjinore. Përballja me këtë realitet, sipas tij, kërkon një strategji të përbashkët që përfshin edukimin si mjet parandalues dhe penalizime të rrepta për dhunuesit

Një vajzë mban një poster nga artisti amerikan Shepard Ferey dhe lexon "Ne njerëzit, mbrojmë dinjitetin" ndërsa mbështetësit feministë të Kosovës marrin pjesë në një tubim për barazi gjinore dhe kundër dhunës ndaj grave për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas në Prishtinë më 8 Mars.

Për çdo vit rastet e dhunës në familje në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme dhe shqetësuese, ku viktimat kryesore mbeten gratë dhe vajzat.

Nga janari deri në nëntor të vitit 2023, raportimet zyrtare tregojnë një shifër tronditëse – 2 mijë e 393 raste të dhunës në familje.

Shumica e rasteve janë ndaj grave dhe vajzave, numri i të cilave shkon deri në 2 mijë, krahasuar me 541 raste ndaj burrave.

Foto ilustrim, dhuna ndaj grave

Në vitin 2022, situata kishte qenë edhe më e rëndë, me 2 mijë e 765 raste të raportuara, që tregon se ky fenomen po kthehet në një sfidë akute për shoqërinë.

Viktimat e këtyre rasteve ishin 2 mijë e 288 gra e vajza dhe 517 burra, ndërsa, sipas Policisë, në disa raste kishte më shumë se një viktimë.

Shkaqet dhe pasojat e rritjes shqetësuese të rasteve të dhunës në familje

“Rritja e frustrimit social, toleranca ndaj rreziqeve të alarmuara për tensione dhune, mungesa e mirëqenies dhe integrimit në shoqëri, problemet ekonomike, qasja e butë ndëshkimore ndaj njerëzve me dosje penale të dhunës – relativizimi i fajit të dhunuesve, janë disa nga shkaqet që kanë rritur numrin e vrasjeve në Kosovë”.

Kështu ka thënë në një intervistë për Dukagjinin, sociologu Labinot Kunushevci, i cili ka vlerësuar se ndikimi i kësaj forme të dhunës vë në pikëpyetje integritetin dhe barazinë gjinore, duke rrezikuar rolin e gruas si një individ i pavarur, i sigurt dhe i integruar në shoqëri.

Ai ka theksuar se një nga shkaqet kryesore të rritjes së dhunës është mungesa e integrimit dhe mirëqenies së plotë në shoqëri.

Labinot Kunushevci, sociolog

Sipas tij, dhuna në masë të madhe ndaj grave vjen si shkak që gratë ndihen më të varura, më të shtypura, më inferiore, më të pafavorshme, në raport me potencialin në rritje të dhunës së dominuar nga burrat.

“Dhuna nuk është problem që mund të eliminohet në tërësi, por të paktën mund të menaxhohet dhe parandalohet me një strategji konkrete, përmes edukimit, në njërën anë, dhe penalizimeve rigoroze ndaj dhunuesve, në anën tjetër”, ka shtuar ai.

Foto ilustrim, dhuna në familje

Për të adresuar këtë realitet shqetësues, Kunushevci ka propozuar një strategji të përbashkët që përfshin edukimin si një mjet parandalues në njërën anë dhe penalizime të rrepta ndaj autorëve të dhunës në anën tjetër.

Ai ka vënë në dukje nevojën për një ndërgjegjësim të thellë në shoqëri dhe një kontroll të rreptë të të gjithë mekanizmave publik që formojnë raportet shoqërore, duke filluar nga media, arti, dhe marrëdhëniet profesionale, ndarja e roleve gjinore, barazia dhe planifikimi familjar e të tjera.

Në vitin 2021, kujtojmë se sipas të dhënave të siguruara për Dukagjinin nga Policia e Kosovës, janë 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje, me 2 mijë e 486 gra dhe vajza që u identifikuan si viktima.

Kosova ka një bazë ligjore që synon parandalimin dhe ndëshkimin e kryesve të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.

Vetëm në vitin 2022, në Kosovë janë vrarë tri gra – për të tria rastet, fajtorë ose të dyshuar kanë qenë bashkëshortët e tyre.

Ndërsa, në periudhën 2010-2022 janë vrarë 50 gra.

Rastet e dhunës në familje rriten çdo vit për 20 për qind në Kosovë

Në vitin 2020, Kuvendi i Kosovës miratoi Konventën e Stambollit, një marrëveshje ndërkombëtare e Këshillit të Evropës që synon parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave, por edhe dhunës në familje. Kjo konventë parashikon zero tolerancë ndaj dhunës.

Nga analiza e rasteve të dhunës në familje në Kosovë për vitet 2021, 2022 dhe 2023, tregohet një histori e trishtueshme dhe e papranueshme e vuajtjeve që gratë dhe vajzat përjetojnë përditë.

Foto ilustrim, ushtrim i dhunës

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika