Rreth 2 mijë raste të dhunës në familje të raportuara gjatë këtij viti

Nga janari e deri në këtë muaj në Kosovë janë raportuar rreth 2 mijë raste të dhunës në familje dhe 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gra dhe vajza, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu

"Drejtësi për gratë e vrara", thuhet në një pano gjatë protestës në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Prishtinë, 8 mars 2022.

Që nga janari e deri këtë muaj, në Kosovë janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje. Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.

Në Kosovë më 27 nëntor ka nisur fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore”. Në aktivitetin e parë të quajtur “Ato janë ne”, Haxhiu tha se dhuna në familje është shndërruar në fenomen në Kosovë.

“Në kuadër të kësaj fushate kemi paraparë mbi 80 aktivitete në secilën komunë të Republikës, sepse e konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të punojmë me të gjithë. Aktiviteti i sotëm ‘Ato janë ne’, është një thirrje për sensibilizim për dhunën mbi baza gjinore dhe dhunës në familje, është një thirrje për Policinë, Prokurorinë dhe gjykatat që rastet dhunës mbi baza gjinore dhe dhunës në familje, të mos i injorojnë të mos i neglizhojnë, të mos i paragjykojnë, por të marrin veprime serioze dhe përgjegjësit, pra dhunuesit t’i vendosin para përgjegjësisë penale. Po ashtu është thirrje që qytetarët kudo dhe kurdo që janë në dijeni të dhunës, të mos heshtin, por ta ndihmojmë viktimën, edhe viktimat të mos i lënë pa raportuar rastet e dhunës”, tha Haxhiu.

Ajo tha se institucionet po punojnë që të ofrojnë ndihmë falas juridike për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore.

Osmani tha se fenomeni i dhunës mbi baza gjinore dhe dhunës në familje është “jashtëzakonisht i dëmshëm” për shoqërinë e Kosovës. Ajo kërkoi nga institucionet që të bëjnë më shumë për të adresuar këto raste dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

“Në Kosovë ka pasur raste të shumta të dhunës mbi baza gjinore dhe bashkë me ministren e Drejtësisë kemi punuar gjatë këtij viti, që jo vetëm të ashpërsohen dënimet ndaj atyre që kryejnë këto vepra të tmerrshme penale, por që kemi edhe parandalim të këtij krimi. Iu bëjmë thirrje të gjitha vajzave e grave që të mos ngrisin zërin kundër dhunës. Dua t’iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që ta luftojnë patriarkatin, t’iu japin prioritet luftimit të këtij fenomeni dhe të dënojnë kryesit. Një prej prioritet tona duhet të jenë që institucionet të jenë sa më efikase në luftimin e dhunës mbi baza gjinore”, tha presidentja Osmani.

Fushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me baza gjinore” do të përfshijë edhe aktivitete vetëdijesuese në shkollat e Kosovës, tha ministrja Nagavci, duke shtuar se nxënësit do të informohen për të drejtat e tyre, por edhe do të informohen që të adresojnë shkeljet.

“Kemi përgatitur dhe shpërndarë informatorë edhe për mësimdhënësit tanë që do të ndihmojë ata në identifikimin e shenjave te nxënësit që mund të kenë përjetuar dhunë, por edhe adresimin e këtyre raste”, tha ajo.

Kosova ka bazë ligjore që synon që të parandalojë dhe të ndëshkojë kryesit e veprave penale që lidhen me dhunën në familje dhe dhunën mbi baza gjinore. Më 2020, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Konventën e Stambollit, marrëveshje ndërkombëtare e Këshillit të Evropës që synon parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave, por edhe dhunën në familje. Kjo konventë parasheh zero tolerancë ndaj dhunës.

Në Kosovë po ashtu ka disa shtëpi të sigurta që strehojnë gratë që kanë qenë viktimë e dhunës në familje.

Në protesta të shoqërisë civile dhe të qytetarëve shpesh janë kritikuar institucionet e drejtësisë lidhur me mënyrën se si i trajtojnë rastet e dhunës.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022 në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë. /REL

  • Raporto rastet e dhunës në familje: 0800 19 999
  • Numri kontaktues i Mbrojtësve të Viktimave: 0800 11 112
  • Numrat kontaktues të shtëpive të sigurta: 0800 800 01 dhe 0800 21 000
  • Raporto rastet e dhunës në Policinë e Kosovës: 192

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika