Rreth 332 gra dhe 4 burra janë identifikuar me sëmundje maline, siç është kanceri i gjirit gjatë periudhës Janar-Shtator të vitit 2023.
Këto statistika i ka përmendur Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurteshi, tek emisioni “Rreth e Rrotull”, në RTV Dukagjini.
Kurteshi ka shtuar se krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, 30 pacientë me kancer gjiri janë më shumë.
“Gjatë nëntë muajve deri më tani, janë identifikuar rreth 332 femra dhe 4 meshkuj me kancer gjiri. Të gjithë janë duke u trajtuar. Prej tyre mbi 50% janë në fazën e avancuar dhe rreth 49% janë në stadin e parë dhe dytë. Janë 4 meshkuj duke u trajtuar nga kanceri i gjiri. Krahasuar me vitin e kaluar jemi rreth 30 pacientë më shumë se tetorin e kaluar”, ka shtuar Kurteshi.
“Ne bëjmë kontrolla, por jo mjaftueshëm”
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurteshi, ka thënë se sëmundjet maline në gjithë botën janë në rritje dhe ajo që është shqetësuese se “ne bëjmë kontrolla, por jo mjaftueshëm”.
Ai ka shtuar se “ne akoma jemi në fazat e hershme të programeve nacionale të Skriningut, të cilat duhet të standardizohen dhe duhet të obligohen me ligj, femrat në moshë 40-45, një herë në vit të bëjnë mamografi”.
“Kosova kohët e fundit ka zhvilluar progres. Falë aktiviteteve të ndryshme që bëhen në muajin tetor. Duke filluar që nga viti 2006, kur për herë të parë shoqata “Jeta-Vita”, si një shoqatë e shoqërisë civile, e cila ka ngritur zërin e pacientëve që kanë vuajtur nga kanceri që të kenë një institucion të veçantë dhe meritor për pacientë
Numri i pacientëve në Kosovë shënon ngritje prej 10-15%. Vitin e kaluar kemi identifikuar rreth 420 femra, ku mosha varion e ndryshme, por me dominim të moshës 55 vjeç. Këtë vit, shënon një rritje prej 10% më i lartë”.
Tutje ai ka thënë se kanceri i gjirit haset edhe te gjinia mashkullore.
“5-6 meshkuj sëmuren me kancer të gjirit, që marrin trajtim sikurse femrat. Përgjithësi, ngritja e vetëdijes, por nuk është e mjaftueshme, krahasuar me vende të tjera të Evropës dhe rajonit përreth.”
- Fitore Zenelaj, e mbijetuar e sëmundjes së kancerit të gjirit
Fitore Zenelaj, e mbijetuar nga kanceri, ka rrëfyer tregimin e saj se si e kishte kuptuar se ishte prekur nga kanceri i gjirit.
Këtë rrëfim dhe gjithçka tjetër, ajo e ka treguar tek emisioni “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini.
“Fillimisht, sëmundjet maline rastësisht zbulohen. Rastësisht e kam kuptuar, e kam prek një gjëndërr në vitin 2019. Jam drejtuar tek Radiologjia, pastaj Kirurgjisë Torakale. E kam bërë operimin. Pastaj edhe direkt trajtimin tek Klinika Onkologjike, ku kam përfunduar gjitha trajtimet”, janë fjalët teksa Fitore Zenelaj kujton kohën se si e kishte kuptuar se diçka nuk shkon në trupin e saj.
Zenelaj ka theksuar se sëmundjën e kancerit nuk e ka trashëguar nga familja dhe se ajo nuk ka qenë e informuar saktë se çka d.m.th kanceri. Por, pastaj ajo ka ”hulumtuar në internet” për të kuptuar më saktë se me çka ka të bëjë.
Ajo ka potencuar se u është drejtuar institucioneve të vendit, duke iu besuar në shërimin e saj.
“Kurajon e kam gjetur tek vetvetja. Jam bazu ‘se zoti i sprovon njerëzit e fortë’, ‘ një derë mbyllet, e shumë të tjera hapen’. Dhe faktikisht, më janë hapur dyert, sepse pas trajtimit të Onkologjisë, e kam regjistruar fakultetin për infermiere dhe tani jam e diplomuar”, ka theksuar ajo.
“Normalisht, nuk është e lehtë. Sidomos marrja e kemioterapisë, por nuk jam ndalur asnjëherë”.
Ajo ka shtuar se “është rilindur për së dyti” kur ka mbijetuar nga kanceri i gjirit, duke shtuar tutje se “kur t’dridhet toka ndër këmbë, të vjen ajo forca”.