122 punëtorë të katër ministrive në vend kanë kënaqësinë të marrin pagë pa u parë asnjëherë të vetme në vendin e tyre të punës.
Më e keqja është që këta punonjës besohet që ishin pjesë e “Mbrojtës Civile”, organizatë e shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar nën arsyetimin që paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.
Sipas raportit të Auditorit që edhe këtë vit e ka gjet këtë shkelje në katër ministri, punëtorët e komunitetit serb janë paguar në total nga buxheti i shtetit me mbi 700 mijë euro në vit.
Ministria me më së shumti punëtorë që marrin pagë e nuk dalin në punë është ajo që e udhëheq Liburn Aliu, e Infrastrukturës që me mbi 300 mijë euro paguan 62 punëtorë.
E me nga 20 punëtorë secila janë edhe Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Kulturës dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka sugjeruar që të ndërmerren hapa nga ministrat përkatës.
“Për ministrinë kjo çështje është mjaftë sfiduese për sistemimin e tyre në hapësira të përcaktuara të punës për faktin që edhe nuk kanë objektiva të përcaktuara të punës, prandaj edhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si paga të paarsyetuara dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë”.
Por, kjo situatë e krijuar e ka një histori që daton nga 2015.
Me një vendim të Qeverisë së asaj kohe, të udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, ishte vendosur që të aprovohen konkluzionet e dakorduar në Bruksel në kuadër të marrëveshjes për normalizim të raporteve me Serbisë.
Me këtë marrëveshje supozohej të shpërbëhej “Mbrojtja Civile” dhe punëtorët e saj të integroheshin në institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjithsesi, ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme sugjeron që të gjindet një zgjidhje ligjore që paratë e shtetit të mos keqpërdorën tutje.
“Pagesa e tyre pa shkuar fare në punë po thuajse është një sekret publik tash e disa vite. Gjetjet e auditorit duhet të adresohen saktë dhe të ketë një analizë gjithëpërfshirëse nga ana e Qeverisë”, ka deklaruar Valdet Hoxha, ish-zv.ministër i MPB-së.
Ministria e Arsimit në vitin 2022 nuk ua kishte ekzekutuar pagat 32 punëtorëve serbë që nuk ishin paraqitur në punë. Pas kësaj ata ishin ankuar dhe kështu ministrja Arbërie Nagavci kishe pranuar se kanë filluar të paguhen por se dërgojnë raporte mujore në Ministri për punën e tyre.
Për këto pagesa të punëtorëve serbë që nuk paraqiten fare në punë dhe nëse Qeveria e Kosovës ka një zgjidhje ose planifikon t’i adresojë shqetësimet e Auditorit, televizioni ka kërkuar përgjigje nga ekzekutivi, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.