“Ka dy muaj që nuk ka qenë dikush atje, ne nuk mundemi me shku nga Kosova, vetëm prej Zvicrës familjarët e Nezirit, zakonisht fëmijët kanë shku. Ne nuk mundemi për shkak të asaj frikës që mos të ndodhë e njëjta, pabesi me u kap apo mu mbajt”.
Kështu është shprehur për Portalin Dukagjini, Valon Mehmetaj, vëllai i Nezir Mehmetajt – i cili rreth tre vjet ndodhet në paraburgim në Beograd.
Nezir Mehmetaj, qytetar nga Rudica e Komunës së Klinës, është arrestuar nga policia serbe me tre janar të vitit 2020 në vendkalimin kufitar në Merdarё, nën akuzat për kryerje të krimeve të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Sipas një përgjigjeje për Portalin Dukagjini nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës thuhet se deri tani janë mbajtur mbi 15 seanca gjyqësore ndaj z.Mehmetaj dhe seanca e radhës është caktuar për datën 20 prill 2023.
Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Valon Mehmetaj shpreson që vëllai i tij, Neziri, të lirohet. Kjo pasi sipas tij mungojnë faktet që kanë të bëjnë me akuzën.
“Shpresojmë që të lirohet në bazë të asaj se nuk kanë mundur që tre vjet e gjysmë gati të gjejnë ndonjë fakt se ka të bëjë me akuzën. Gjithmonë arsyet kanë qenë të pabaza për zgjatjen e seancave”, tha ai.
Ndonëse nuk kanë guxim ta vizitojnë, ai ka treguar se me Nezirin kanë kontakte përmes telefonit. E kjo ndodh dy herë në muaj.
“Kemi kontakte përmes telefonit, zakonisht thirr në Zvicër mandej përmes atje lidhet me telefon, zakonisht fol me nënën, dy herë në muaj. Neziri nuk shprehet në lidhje me atë se qysh kalon gjithmonë thotë mirë mirë”.
“Akuzat e tij, Mehmetaj i konsideron të padrejta, arbitrare dhe krejtësisht të pavërteta”
Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë, ka thënë se aktualisht në Serbi tani është i burgosur vetëm një shtetas i Republikës së Kosovës, e ai është Nezir Mehmetaj.
Mehmetaj është duke u mbajtur në Burgun Qendror (‘Centralni Zatvor-CZ’) dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit, teksa gjykimi i tij ka filluar në muajin prill të vitit 2021.
Të pyetur nëse Mehmetaj është vizituar nga diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, kjo ministri ka theksuar se ata “i kanë përcjellë të gjitha seancat gjyqësore të zhvilluara ndaj z. Mehmetaj”.
“Ambasadori Jashari e ka vizituar personalisht z.Mehmetaj më shumë se 34 herë deri tani, për ta parë nga afër gjendjen e tij, si dhe për t’i ofruar mbështetjen e Republikës së Kosovës”.
Sa i përket gjendjes shëndetësore, MPJD ka thënë se Mehmetaj vuan nga një sëmundje serioze kronike dhe përdor medikamente.
“Gjatë vizitave ai në disa raste ka theksuar se ka probleme edhe me tensionin e lartë të gjakut”.
Ndërsa sipas tij, trajtimi nga autoritetet e burgut ku ai mbahet, ka qenë korrekt, edhe pse mbajtja e tij në burg dhe akuza ndaj tij nga z. Mehmetaj “konsiderohen të padrejta, arbitrare dhe krejtësisht të pavërteta”.
Kërkesa e ministres Haxhiu për transferim, rrit shpresat e familjarëve
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar përmes një letre zyrtare ministres së Drejtësisë të Serbisë, Maja Popoviq, transferimin e Nezir Mehmetajt në Kosovë.
Në këtë letër thuhet se proceset e deritashme gjyqësore ndaj Mehmetajt janë shoqëruar nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
“Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e ministres Haxhiu.
Lidhur me këtë, MD-ja nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë në Serbi.
“Deri më tani, Ministria e Drejtësisë nuk ka pranuar ndonjë përgjigje”, thuhet në përgjigjen e MD-së për Portalin Dukagjini.
Por, kjo kërkesë i ka rritur shpresat e familjarëve të Nezir Mehmetajt, pasi, sipas vëllait të Nezirit, për herë të parë po shihet një qasje serioze nga institucionet e Kosovës.
“I ka rrit shpresat për shkak se e ka ngrit zërin shteti për qytetarin e vet. Ne gjithmonë besojmë në drejtësi dhe në pavarësinë e Nezirit por shpresa dhe besimi në institucionet e Serbisë ka humbur për shkak se është kohë e gjatë e mbajtjes dhe nuk ka pasur arsye që të zgjasë”, ka thënë ai.
Megjithatë, Mehmetaj ka theksuar se përgjatë kësaj periudhe kohore, përreth tri vjet që nga arrestimi i Nezir Mehmetajt, qasja e institucioneve ka qenë e mangët.
“Nuk e kemi pasur përkrahjen e mjaftueshme si shtet ndaj qytetarit të vet. Nuk ka qenë që nuk kemi pasur vizita, kemi shkuar vetë atje unë e vllau nëpër ministri e institucione përkatëse për të kërkuar mbështetje. Një herë jemi thirrë nga ministria e jashtme, nga Donika unë dhe vllau”.
Pos kësaj, edhe avokati mbrojtës i Nezir Mehmetaj, Miliq Konstantinoviq, sipas Valon Mehmetajt, beson në pafajësinë e Nezirit.
“Kemi pasur kontakte dhe kemi kontakte përmes telefonit me palën mbrojtëse të Nezirit, me u taku takohemi më rrallë për shkak se duhet të takohemi te pika kufitare, në Merdarë. Ai shprehet se nuk ka fakte për mbajtjen e Nezirit por gjithmonë ia kanë dedikuar politikës se politika është mbajtur për interesa të veta”, shtoi ai.
“Shkelja e Marrëveshjes së Brukselit nga regjimi i Vuçiqit”
Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se autoritetet serbe po ua mohojnë në mënyrë sistematike qasjen qytetarëve të Kosovës, familjarët e të cilëve gjenden në qendrat e paraburgimin në Serbi.
Vela ka thënë se kjo po ndodh me pretekstin se ata nuk i njohin dokumentet e Kosovës dhe sipas tij, kjo është një shkelje e marrëveshjeve të Brukselit nga regjimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Serbia’s institutions are systematically denying access of family members to Kosovo citizens currently detained in detention centers in Serbia with a pretext that they don’t recognize 🇽🇰 IDs.
This is a violation of Brussels agreements & the basic human rights by Vučić’s regime.
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) April 10, 2023
Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në një prononcim për Portalin Dukagjini, vlerëson se kjo qasje e Serbisë është në kundërshtim me parimet apo obligimet që i ka në raport me integrimin e saj evropian në BE dhe të drejtat e lirisë së njeriut.
Sipas tij, moslejimi i vizitave të burgosurve shqiptarë në Serbi është kufizim i drejtpërdrejtë i të drejtave të njeriut.
“Në këtë drejtim do të duhej që Qeveria e Kosovës, edhe BE-ja edhe organizatat e tjera ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut të bënin presion te Serbia që të ndalojë më këtë praktikë”, ka thënë ai, duke theksuar se kësaj i shtohet fakti që Serbia ka arrestuar qytetarë të Kosovës për vepra që dyshohet se janë kryer në territorin e Kosovës.
E kjo, po ashtu, siç thotë Miftaraj është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Ai potencon se Ministria e Drejtësisë duhet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë e saj që të bëjë presion te Serbia duke përfshirë edhe komunikimin zyrtar me Ministrinë e Drejtësisë të Serbisë.
“Por duhet edhe njoftojë edhe partnerët ndërkombëtare, shtetet e QUINT-it por edhe Komisionin Evropian për një qasje të Serbisë në raport me qytetarët e Kosovës ku përmes kësaj qasjeje Serbia po i cenon parimet bazë, të drejtat e njeriut, obligimet që i ka marrë në rrugën e saj drejt integrimit evropian”.
Megjithatë, Miftaraj vlerëson se të gjithë ata që kanë kryer krime në Kosovë duhet të hetohen, ndiqen dhe gjykohen në Kosovë.
“Përderisa Serbia nuk ka autoritet dhe kompetencë për të hetuar dhe gjykuar krimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe në këtë drejtim presion duhet bërë drejt asaj që Serbia të mos ushtrojë apo keqpërdor këtë në raport me qytetarët e Kosovës”
Ndërkaq, Miftaraj theksoi se Kosova nuk po i ushtron të gjitha kompetencat e saj në raport me ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës, ku sipas tij në bazë të statistikave del që kemi numër jashtëzakonisht të vogël, shumë minor në raport me krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Ndryshe, Nezir Mehmetaj, i arrestuar më tre janar të vitit 2020 në Merdar, po vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Serbi.
Nezir Mehmetaj është i akuzuar për pjesëmarrje në krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudicë në komunën e Klinës në qershor dhe korrik 1999.
Ai akuzohet nga Serbia për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë si anëtar i UÇK-së.