Rrethimi i Sarajevës: Mijëra këpucë në rrugë përfaqësojnë viktimat e luftës

Rreth 11,500 palë këpucë, që përfaqësojnë viktimat gjatë rrethimit të Sarajevës, janë ekspozuar në kryeqytetin e Bosnjës, në atë që njihet si "Rruga e Kujtesës", që shtrihet për më shumë se një kilometër

Këtë javë mbushen 32 vjet nga rrethimi i Sarajevës. Rrethimi filloi më 5 prill të vitit 1992 dhe përfundoi pas pothuajse 4 vjetësh. Gjatë asaj kohe, 350,000 banorë të Sarajevës iu nënshtruan sulmeve të përditshme nga ushtria e serbëve të Bosnjës, duke ua ndërprerë banorëve qasjen e rregullt tek energjia elektrike, ushqimi, uji, ilaçet, si dhe duke mos i lejuar të dilnin nga qyteti.

Këto ditë rreth 11,500 palë këpucë, që përfaqësojnë viktimat gjatë rrethimit të Sarajevës, janë ekspozuar në kryeqytetin e Bosnjës, në atë që njihet si “Rruga e Kujtesës”, që shtrihet për më shumë se një kilometër.

Të vendosura me kujdes, tre palë në një rradhë, këto këpucë janë një kujtim i burrave, grave dhe fëmijëve që humbën jetën gjatë rrethimit të Sarajevës në fillim të viteve ‘90.

Mbi 11,500 këpucë janë ekspozuar në qendër të kryeqytetit boshnjak si pjesë e një instalacioni të quajtur “Rruga e Kujtesës”, në nderim të qytetarëve të saj që nuk i mbijetuan rrethimit më të gjatë ushtarak në historinë moderne.

Në 32-vjetorin e fillimit të rrethimit, mijëra njerëz morën pjesë në një shëtitje përkujtimore gjatë javës së kaluar.

Këpucët janë dhuruar nga banorët vendas dhe ato do të bëhen pjesë e një koleksioni në Qendrën Përkujtimore të qytetit.

Në mesin e atyre që dhuruan një palë këpucë është edhe ish-mësuesja Senada Salihoviç.

“E kam kaluar luftën në Sarajevë. Kam punuar si mësuese në atë kohë. Pothuajse çdo ditë mësoja se kishim humbur një fëmijë ose një të afërm tjetër të dashur. Unë vlerësoj çdo mundësi për të kujtuar dhe menduar për ata që nuk janë më me ne”, thotë ajo.

Rrethimi filloi më 5 prill të vitit 1992 dhe përfundoi pas pothuajse 4 vjetësh.

Gjatë asaj kohe, 350,000 banorë të Sarajevës iu nënshtruan sulmeve të përditshme nga ushtria e serbëve të Bosnjës duke u ndërprerë banorëve qasjen e rregullt në energji elektrike, ushqim, ujë, ilaçe dhe mundësinë për tu larguar.

Për disa të mbijetuar, ekspozimi i këtyre këpucëve ishte një rikthim në gjendjen emocionale që përjetonin gjatë rrethimit.

“Kjo më nxiti emocione shumë të forta. Mbaj mend gjithçka sikur të ndodhte sot. Më vjen keq për gjithçka që ndodhi me këtë qytet, me këta njerëz (të vrarë) dhe me të gjithë ne”, thotë Kemal Muninoviç.

Për banorët më të rinj, këpucët simbolizojnë rëndësinë e nderimit të së shkuarës, duke parë drejt të ardhmes.

“Unë mendoj se të rinjtë duhet të jenë të vetëdijshëm për atë që ndodhi (në Sarajevë) sepse ndodhi në vendin tonë. Por gjithashtu nuk duhet ta lëmë veten të ngarkohemi shumë nga e kaluara,” thotë gjimnazisti Faris Ajanoviç.

Shoqja e tij e shkollës, Tina Peroviç, pajtohet me të.

“Në këtë mënyrë ne po ruajmë kujtimet dhe këto këpucë na ndihmojnë të mos harrojmë se sa njerëz u vranë dhe se nuk ata nuk janë vetëm një numër, se secili prej tyre ishte një njeri”, thotë ajo.

Këpucët e dhuruara për ngjarjen përkujtimore do të ruhen përgjithmonë si pjesë e “Rrugës së Kujtesës” në Qendrën Përkujtimore të Sarajevës, e cila do të ndërtohet në malin Igman afër Sarajevës./VOA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika