Situata e fundit e tensionuar në veri të vendit dëshmon edhe një herë rolin dhe rëndësinë e policëve në shoqëri.
Derisa shërbejnë për shoqërinë e tyre, rrezikshmëria e tyre konsiderohet e lartë.
Në lidhje me intervenimin nga ana e Policisë se Kosovës në veri, që vjen si rezultat i kërkesës nga ana e Ministrisë së Mbrojtjess për t’i asistuar kryetarët e rinj për të hyrë në objektet komunale, njohësi i sigurisë Drizan Shala, në një intervistë për Portalin Dukagjini ka dhënë më shumë detaje se sa janë të sigurtë në këto situata.
“Zyrtarët në aksione të tilla, në përgjthësi, mund të thuhet që kanë një rrezikshmëri të lartë në ushtrimin e funksioneve ligjore si dhe mandatin kushtetues që bartin si institucione në ofrimin e sigurisë publike/nacionale”, ka thënë Shala.
Shala ka thënë tutje se gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës është përdorur forcë minimale proporcionale për të futur situatën nën kontroll.
“Bazuar në nivelin e rrezikshmërisë për jetën e kryetarëve, Policia e Kosovës ka marrë të gjitha veprimet që procesi të shkojë sipas planifikimit, ku gjatë ndërhyrjes nga ana e operatorëve të njësive speciale është përdorur forcë minimale proporcionale për të futur situatën nën kontroll”, ka shtuar Shala.
Eksperti i sigurisë ka theksuar se në operacione komplekse, sikur që ishte veriu në rastin e fundit, mund të thuhet që kanosja vjen nga multikompleksiteti i veprimeve primare, sekondare e terciare për përmbushjen e detyrave të parapara.
“Operatorët e njësive speciale, por edhe policëve në përgjithësi, mund të thuhet që shteti do të duhej të ndërhyjë në zbatimin e normave pozitive duke përmbushur nevojat, qoftë të pagesës së rrezikshmërisë, sigurimeve shëndetësore e deri te modernizimi i strukturës operacionale duke përfshirë teknologjinë më të avancuar në përmbushjen e detyrave që janë të paraparë nga cenimi i sigurisë publike/nacionale”, ka potencuar ai.
Ndërsa, analisti politik Shemsi Jashari, në një intervistë për Portalin Dukagjini, thekson se roli i Policisë së Kosovës është i rëndësishëm, por, sipas tij, edhe i kufizuar për shkak të paqartësisë politike dhe paqartësisë në mision.
Jashari ka thënë se kjo qëndron pasi varet nga qëndrimet politike dhe nuk ka siguri se operacioni i nisur nga policia nuk ndërpritet me një urdhër politik, dhe kjo bën që të ketë rol të kufizuar, pavarësisht rolit kushtetues e ligjor që ka.
“Paqartësia politike dhe e misionit si pasojë e politikës, ekspozon Policinë e Kosovës para një rreziku të madh për t’u sulmuar, lënduar apo edhe vrarë. Kjo, sidomos, pasi është interes i grupeve paramilitare e grupeve kriminale të dirigjuara nga Serbia destabilizimi dhe konflikti, përderisa Policia e Kosovës është e kufizuar në përdorimin e forcës proporcionale, pasi interpretohet politikisht si tendencioze dhe kundër minoriteteve”, ka thënë tutje Jashari.
Analisti politik ka shtuar se për të pasur siguri më shumë Policia e Kosovës, duhet të ketë qartësi politike në vendimmarrje dhe operacionet policore të mos interferohen nga politika pasi të fillojnë.
“Policia e Kosovës është shumë e aftë dhe me përvojë profesionale dhe mjafton të mos pengohen. Po ashtu duhet të kenë mjete e pajisje më të mira, paga më të mira, sigurim shëndetësor e jetësor”, ka shtuar tutje Jashari.
Jashari ka theksuar tutje se aktualisht institucionet e vendit nuk ofrojnë siguri për policët dhe se, sipas tij, kemi pasur shpesh zyrtarë policorë që janë penalizuar, suspenduar, e degraduar, duke zbatuar ligjin, si pasojë e ndërhyrjeve politike që janë ndërlidhur me minoritetin serb.
Analisti Jashari ka potencuar se kjo dekurajon Policinë e Kosovës t’i kryejë detyrat me “maksimumin e potencialit”.
“Kjo dekurajon dhe pengon policinë të kryejë punën me maksimumin e potencialit, pasi për një kompromis politik apo presion ndërkombëtar ata edhe mund të pësojnë”, ka përfunduar ai.
Portali Dukagjini ka tentuar të kontaktojë edhe me Sindikatën e Policëve të Kosovës, por nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.