Jo gjykimit në liri, e po vazhdimit të paraburgimit i ka thënë edhe një herë tjetër Gjykata Speciale, kërkesës që ish-krerët e UÇK-së e patën që të gjykohen jashtë qendrës të paraburgimit të Hagës.
Pretendimeve të prokurorisë që te akuzuarit në Hagë mund të kryejnë vepra penale të tjera po i beson Gjykata, përderisa zëdhënësi i këtij institucioni thotë se të njëjtit edhe mund të arratisen.
“Trupi gjykues çdo dy muaj duhet të vlerësojnë nëse arsyet justifikojnë dënimin e të akuzuarit ato duhet te vlerësojnë nëse ekziston rreziku se personi do të arratiset, nëse do te pengojnë drejtësinë ose rrezikojnë që i akuzuari të bëjë krime tjera, të gjitha këto rishikime bëhen çdo dy muaj. Deri tani trupi gjykues ka konstatuar se ekziston rreziku i pengimit te vazhdimësisë dhe mundësisë për krime tjera. Ka pasur indikacione, të dhëna që disa gjëra janë komunikuar në dhomën e dënimit për dëshmitarë të mbrojtur dhe deri më tani gjykatësit thonë se ekziston rreziku që i akuzuari mund të pengoj procesin dhe të kryej krime tjera”, tha Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara.
Por, sipas monitoruesve të këtyre proceseve, paraburgimi nuk është gjithmonë masë e nevojshme.
“Kryesisht informatat që i posedojnë të akuzuarit e ato informata mund ti ndajnë me personat e tretë, psh identitetit i dëshmitarëve, kështu sipas prokurorisë përmes këtyre informatave ata mund të ndikojnë edhe tek dëshmitarët. Ashtu siç konkludohet me ngritjen e dy tre aktakuzave për pengimin e administrimit të procedurës“, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Zëdhënësi i Gjykatës është pyetur edhe për shqetësimet që të akuzuarit kanë ngritur për kohëzgjatjen e gjykimit, për çka tha se nuk dëshiron të spekulojë por se Prokuroria po punon që rastin ta mbyll në kohën e paraparë.
“Nuk do te doja të spekuloja rreth kësaj por ajo çka kemi dëgjuar se fundmi gjatë kësaj jave në sallën e gjyqit, kemi dëgjuar gjykatësit duke pyetur nëse dhe si po planifikojnë të përfundojnë rastin e tyre përgjatë këtij afati dhe kemi dëgjuar prokurorinë duke thënë se ende janë duke punuar drejt afatit të dhënë për prill të vitit 2024 por ata gjithashtu kanë thënë se kanë kërkuar reduktimin dhe përshpejtimin në ecjen e dëshmive”, tha Doyle.