Autori, Skender Perteshi nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT ka publikuar një raport hulumtues në lidhje me transformimin e shkaktarëve të terrorizmit në Kosovë dhe rajon.
Në këtë raport, ai ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës, lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, si dhe mospajtimet ndërmjet dy superfuqive botërore, Kinës dhe SHBA-së, kanë krijuar një botë të pasigurt dhe të paqëndrueshme, duke ndryshuar tërësisht burimet e rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë në botë.
Në raport thuhet se si shkak i përhapjes së krizave dhe konflikteve të reja në botë, partnerët strategjikë dhe aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët për një kohë të gjatë kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e Kosovës dhe rajonit për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, tani fokusin e tyre politik, ushtarak dhe financiar gradualisht po e zhvendosin në rajone të ndryshme të krizave globale.
Në rastin e Kosovës, theksohet se ka një “rritje të madhe të elementeve terroriste dhe ekstremiste të motivuara nga etno-nacionalistë dhe të ekstremit të djathtë, të mbështetur nga autoritete shtetërore dhe joshtetërore si Rusia dhe Serbia”.
“Në rastin e Kosovës, kërcënimet terroriste të motivuara nga radikalët islamistë, si ato nga ISIS, në vitet e fundit janë vënë nën kontroll nga institucionet e sigurisë dhe ato të zbatimit të ligjit. Megjithatë, tani në Kosovë ka një rritje të madhe të elementeve terroriste dhe ekstremiste të motivuara nga etno-nacionalistë dhe të ekstremit të djathtë, të mbështetura nga autoritete shtetërore dhe joshtetërore si Rusia dhe Serbia. Si Rusia ashtu edhe Serbia kanë mbështetur dhe financuar krijimin e organizatave terroriste si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat kanë kryer sulme të armatosura kundër popullsisë civile serbe dhe shqiptare dhe institucioneve të sigurisë vendore e ndërkombëtare, duke rezultuar në të vrarë dhe të plagosur në mesin e qytetarëve civilë dhe pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Aty përmendet edhe situata në veri, duke thënë se strukturat paralele serbe financohen dhe mbështeten direkt nga strukturat shtetërore të sigurisë të shtetit serb, gjë që i bën të rrezikshme për Kosovën.
“Kosova po përballet me sfida të mëdha për parandalimin dhe luftimin e grupeve terroriste si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me nacionalistët ekstremistë dhe individë nga ekstremi i djathtë që janë aktiv në veriun e Kosovës. Për më tepër, organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” gëzojnë mbështetje të madhe financiare nga struktura të krimit të organizuar dhe kontrabandës që operojnë në veriun e Kosovës dhe në Serbi. Përveç mbështetjes nga krimi i organizuar, ato financohen dhe mbështeten direkt nga strukturat shtetërore të sigurisë të shtetit serb, gjë që i bën këto dy organizata shumë të fuqishme dhe të rrezikshme për Kosovën”.
Aty thuhet se pas vitit 2019, dominojnë grupet terroriste me motive etno-nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë, si “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile”, “të cilat janë bërë ndër burimet kryesore të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në vend”.
“Në krahasim me vitet 2015-2019, kur kërcënimet më të mëdha nga terrorizmi për Kosovën vinin kryesisht nga ekstremizmi islamist përmes organizatave terroriste si ISIS, tani ky trend ka ndryshuar. Pas vitit 2019, dominojnë grupet terroriste me motive etno-nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë, si “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile”, të cilat janë bërë ndër burimet kryesore të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në vend”.
Raporti përmend edhe tensionet e majit në veri dhe sulmin terrorist nga grupi paramilitar serb në krye me Milan Radojciqin kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
“Në qershor të vitit 2023, Qeveria e Kosovës shpalli organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste. Sipas Qeverisë së Kosovës, këto dy organizata kanë destabilizuar rendin ligjor dhe kushtetues të Kosovës për vite me radhë dhe kanë paraqitur një kërcënim të serioz për sovranitetin dhe sigurinë e vendit. Në tre vitet e fundit, Policia e Kosovës ka raportuar përplasje të vazhdueshme me individë të përfshirë në këto organizata terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilët kanë organizuar sulme të armatosura, kanë vendosur barrikada në rrugë dhe kanë penguar zbatimin e ligjit kryesisht në komunat veriore të Kosovës. Këto grupe ekstremiste gjithashtu kanë kryer sulme me armë zjarri që kanë rezultuar në vrasje dhe plagosje të qytetarëve civilë, zyrtarëve policorë dhe pjesëtarëve të KFOR-it dhe EULEX-it. “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” kanë organizuar sulme edhe ndaj civilëve serbë dhe përfaqësuesve politikë të komunitetit serb që janë opozitë e Listës Serbe, e cila vepron nën urdhrat e Beogradit”.
Në bazë të këtij raporti, “Organizatat terroriste si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” në tre vitet e fundit kanë organizuar mbi 15 sulme terroriste në veri, duke shkaktuar 2 viktima, duke plagosur mbi 150 persona dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Në mesin e të plagosurve janë ushtarë të KFOR-it, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe qytetarë të komuniteteve serbe, shqiptare dhe të tjera”.
Tutje thuhet se në Kosovë vazhdojnë të mbeten të pranishme disa nisma paralele fetare islame që operojnë jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që sipas raportit këto iniciativa ilegale fetare paraqesin shqetësime dhe janë kërcënim për organizimin e jetës fetare islame në vend.
“Në Kosovë vazhdojnë të mbeten të pranishme disa nisma paralele fetare islame që operojnë jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), që është i vetmi institucion zyrtar për rregullimin e jetës fetare islame në vend. Këto iniciativa ilegale fetare paraqesin shqetësime dhe janë kërcënim për organizimin e jetës fetare islame në vend…Policia e Kosovës në tre vitet e fundit ka parandaluar 2 tentim-sulme terroriste të përgatitura nga individë të lidhur me ideologjinë e ISIS. Në lidhje me këto tentim-sulme terroriste janë arrestuar 5 persona, të cilët, pas hetimeve, janë dënuar me burgim nga gjykatat e Kosovës. Këto dy tentim-sulme terroriste kishin si target sulmin ndaj komunitetit LGBTQI, institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, si dhe institucioneve të tjera shtetërore. Nuk është raportuar për dëme materiale apo viktima nga këto dy tentim-sulme terroriste”.
Ky raport rekomandon që në mënyrë që të adresohen kërcënimet e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Qeveria e Kosovës, ndërkombëtarët dhe shoqëria civile të ndërmarrin një sërë veprimesh, si “Qeveria e Kosovës duhet të përshtatë politikat dhe strategjitë e saj të sigurisë për të adresuar kërcënime dhe rreziqe nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm”.
Po ashtu rekomandohet që Qeveria e Kosovës të zhvillojë një qasje më gjithëpërfshirëse për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ndaj subjekteve që operojnë në veri të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë një qasje më gjithëpërfshirëse për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ndaj subjekteve që operojnë në veri të Kosovës. Përveç arrestimeve dhe ndëshkimeve të zbatuara nga Policia e Kosovës dhe organet e drejtësisë, Qeveria duhet të hartojë strategji të qëndrueshme për të forcuar besimin mes institucioneve shtetërore dhe komunitetit serb që jeton në komunat veriore të Kosovës. Këto veprime të qëndrueshme ndihmojnë Qeverinë të forcojë lidhjet me komunitetin dhe të parandalojë presionin nga organizatat si “Mbrojtja Civile” apo “Brigada e Veriut” që ushtrojnë ndaj komunitetit serb në veri të vendit”.
Nga ndërkombëtarët kërkohet që të trajtojnë me prioritet rrezikun nga grupet radikale etno-nacionaliste që veprojnë në veri të vendit dhe të kenë fokus të qëndrueshëm në çështjet e Ballkanit Perëndimor.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta marrë parasysh dhe trajtojnë me prioritet rrezikun nga grupet radikale etno-nacionaliste që veprojnë në veri të vendit, të mbështetura nga Serbia dhe Rusia. BE-ja dhe SHBA-ja duhet të mbështesë Qeverinë e Kosovës në përballje më këto grupe me të njëjtën nivel, siç e ka mbështetur Kosovën gjatë viteve paraprake në përballje me ekstremizmin islamik të përfaqësuar nga ISIS. Një përgjigje e dobët ndaj terrorizmit nga elementet etno-nacionaliste në Veri mund të shtojë dëshirën dhe planet e organizatave si “Mbrojtja Civile” apo “Brigada e Veriut” për të organizuar sulme të mëdha në funksion të destabilizimit të rajonit, duke u mbështetur në një plan afatgjatë nga Serbia dhe Rusia.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të mbajë një prezencë dhe fokus më të qëndrueshëm në çështjet e Ballkanit Perëndimor, një rajon i cili është shumë i lëkundshëm dhe me potencial për të gjeneruar konflikte të reja. Mungesa e fokusit të Perëndimit në Ballkanin Perëndimor krijon hapësirë për rritjen e ndikimit të organizatave dhe vendeve armiqësore, si Rusia dhe Irani, që synojnë të krijojnë konflikte të reja duke mbështetur individë ose organizata nën kontrollin e tyre”.
Ndërsa nga Bashkësia Islame e Kosovës kërkohet të gjejë mënyra për të parandaluar përhapjen e nismave ilegale fetare apo paraxhemateve në Kosovë.
“Bashkësia Islame e Kosovës duhet të gjejë mënyra për të parandaluar përhapjen e nismave ilegale fetare apo paraxhemateve në Kosovë. Duke përdorur autoritetin dhe mandatin e saj, BIK-u në bashkëpunim me institucionet shtetërore, duhet të angazhohet për të ndaluar fuqizimin e nismave fetare apo paraxhemateve që operojnë jashtë juridiksionit të saj. Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet praktikave dhe mundësive që paraxhematet apo nismat ilegale fetare islame në Kosovë të vendosën nën kontrollin e BIK, duke respektuar praktikat dhe rregullat e punës së BIK-ut”.
Më poshtë gjeni raportin e plotë: