Heqja e akcizës për derivatet e naftës dhe largimi i TVSh-së për produktet bazë, janë kërkesat e vazhdueshme të opozitës për t’i ulur sado pak çmimet në treg.
PDK, LDK e AAK thonë se inflacioni ka arritur kulmin e saj dhe se jeta e qytetarëve është vështirësuar shumë.
Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se shumica e personave që largohen nga Kosova vjen si pasojë e kësaj krize ekonomike.
“Sigurisht sepse numri i madh i atyre që po ikin jashtë vendit është për pasojë të krizës ekonomike, pakënaqësisë me Qeverinë dhe dëshpërimi i tyre sepse kanë pritur shumë dhe kanë marrë asgjë”, ka thënë Haxhiu për EO.
Ai tha se si parti i kanë propozuar disa hapa konkretë që të zbutet kriza, por që Qeveria nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me këtë çështje.
“Ne i kemi propozuar si Parti Demokratike, masat të cilat kanë qenë qysh në fillim të krizës ekonomike duke përfshirë, uljen e TVSH-së, uljen e akcizës për produkte të caktuara, pra në formë që të ndikohet drejtpërdrejt, pastaj të mbështeten bizneset dhe jo në formën çfarë kemi parë deri më tani, grumbullim të buxhetit, ndalje të investimeve edhe mosveprim. Pra, në njëfarë forme shteti ka përfituar prej rritjes së çmimeve, sepse ka marrë më shumë nga TVSH-ja nga tatimet, dhe kjo ka shkuar në kosto më të lartë për buxhetin e çdo familjeje në Republikën e Kosovës, sepse nuk kishte ndonjë veprim, ndonjë masë të Qeverisë për rregullimin e tregut për të zvogëluar krizën. Pra, nuk kishte asnjë ulje të TVSh-së, asnjë ulje të akcizës as për produkteve dhe kështu është munduar me njëfarë lloj çmimi tavan për naftën, që njëfarë forme ishte legjitimim i çmimit të lartë, por nuk ishte diçka që po e ul çmimin”, ka shtuar Haxhiu.
Propozime për Qeverinë ka dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Deputetja e kësaj partie, Valentina Bunjaku, shfaq një dilemë, nëse kjo qeveri nuk po di, apo nuk po do.
“Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës moti e kemi dhënë propozimin tonë, që të largohet TVSH-ja dhe akciza, por asnjëherë nuk është përfillur propozimi. Kjo Qeveri nuk e di a nuk po do a nuk po di, mirëpo absolutisht nuk janë duke qeverisë dhe nuk ka zhvillim në Republikën tonë”, ka thënë Bunjaku për EO.
“Po thirren se është mbushur athesari i shtetit, ka shumë mjete në thesar, ndërsa derisa ato mjete po rrinë në thesar, po i zë inflacioni dhe nuk po e ndijnë dorën e shtetit qytetarët tanë, pa marrë parasysh se këta po thirren edhe në subvencione edhe po mendoj OJQ-ve të ndryshme po u ndihmojnë, por qytetarëve nuk mundesh t’i ndihmosh qytetarët me 50 euro, sepse absolutisht është një vlerë jashtëzakonisht e vogël, sepse inflacioni është jashtëzakonisht i lartë”, ka shtuar Bunjaku.
Bunjaku gjithashtu përmendi edhe ikjen e të rinjve për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe perspektivës.
“Është kjo keqqeverisje e Qeverisë Kurti 2, të cilët kanë ardhur si socialdemokratë në Qeveri, me kauza të rrejshme që do t’i përkrahim domethënë qytetarët e Republikës e Kosovës, por ua kanë pamundësuar jetën dhe ua kanë vështirësuar që të jetojnë në Kosovë. Pagat e ulëta dhe inflacioni i lartë në Republikën tonë ka bërë që shumë të rinj e të reja t’ia mësyjnë ambasadave dhe është numër jashtëzakonisht i lartë që kërkojnë, qoftë të shkojnë të jetojnë në Evropë, qoftë të punojnë, sepse në Kosovë, sinqerisht me këtë inflacion të lartë është bërë e pamundur që të jetohet mirë, në familjet tona”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka thënë se kryeministri Kurti dhe njerëzit e tij duhet të dalin në terren që ta shohin situatën.
“E dimë shumë mirë që secila familje po përballet me këtë sfidë, është shumë e rëndë gjendja ekonomike. Ne shohim se me 50 euro nuk mundesh as gjërat elementare t’i blesh, por ne e dimë se si po ballafaqohemi, për atë arsye e thashë se kryeministri Kurti dhe njerëzit e tij nuk po dalin në terren me pa secilën familje, se si po e vuan rritjen e çmimeve”, ka thënë Bytyqi për EO.
Ajo i bëri thirrje kryeministrit dhe Qeverisë që të ndihmojë sektorin privat, pasi sipas saj e kanë lënë anash.
“Po është shumë e rëndë, sepse secila familje, nëse është punësuar në sektorin privat ne e dimë se si po ballafaqohet, pavarësisht që kryeministri Kurti është munduar sektorin publik ta ndihmojë, mirëpo sektorin privat e dimë shumë mirë që e ka lënë anash dhe është një thirrje për kryeministrin Kurti që t’i ndihmojë edhe sektorin privat, sepse është shumë e nevojshme”, ka shtuar ajo. EO