Rritje e së djathtës ekstreme në Gjermani në zgjedhjet e BE-së

Partitë e së djathtës ekstreme duket se kanë shënuar rritje të konsiderueshme në Gjermani dhe Austri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të dielën, sipas disa sondazheve

Partitë e së djathtës ekstreme duket se kanë shënuar rritje të konsiderueshme në Gjermani dhe Austri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të dielën, sipas disa sondazheve.

Kështu, këto dy vende i bashkohen Holandës, çka jep shenjat e para se kthimi kah e djathta do të ndodhë në këtë institucion të BE-së.

Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, është e dyta me 16.5 për qind të votave, në krahasim me 11 për qind sa ka pasur në zgjedhjet e vitit 2019, sipas një sondazhi të publikuar prej transmetuesit publik, ARD.

Tri partitë pjesëmarrëse në koalicionin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz kanë shënuar humbje, sipas sondazheve.

Rezultatet janë në linjë me ndryshimet veçse të pritura, në të mirë të partive të së djathtës në Parlamentin Evropian që i mbulon 450 milionë banorët e bllokut evropian.

Deri më tani, partia më e fortë është Unioni Kristian Demokrat (CDU/CSU), i cili, sipas sondazheve, ka fituar 30 për qind të votave. Ky është një rezultat pak më i mirë se pesë vjet më parë, sipas mediave gjermane.

Sipas parashikimit, SPD ka arritur rezultatin më të keq deri më tani me 14 për qind – rezultati më i keq në historinë e partisë në zgjedhjet evropiane. Në vitin 2019, partia mori 15.8 për qind. Partia e tretë e koalicionit qeverisës, Liberalët (FDP), fitoi pesë për qind që paraqet një rënie të vogël krahasuar me 2019.

Sukses të madh ka arritur Aleanca e sapo themeluar Sarah Wagenknecht (BSW): sipas parashikimit, kjo parti, e cila nuk pretendon të jetë as e majtë, as e djathtë dhe që u themelua vetëm tre muaj më parë, fitoi gjashtë për qind.

Partia e Majtë shënoi humbje: tani është në 2.8 për qind, ndërsa pesë vjet më parë fitoi 5.5 për qind. Përfaqësues nga Gjermania do të dërgohen në Parlamentin Evropian edhe nga disa parti më të vogla që kanë fituar një, dy ose tre mandate.

Sipas vlerësimeve aktuale, këto zgjedhje panë një pjesëmarrje rekord: 64 për qind e 61 milionë gjermanëve me të drejtë vote krahasuar me 61.5 për qind pesë vjet më parë.

Për herë të parë në Gjermani, personat e moshës 16 dhe 17-vjeç u lejuan të votojnë në zgjedhjet evropiane. Është llogaritur se kjo ka arritur në rreth 1.4 milion zgjedhës të rinj me të drejtë vote. Sipas të gjithave, të rinjtë kryesisht zgjodhën jo partitë e mëdha dhe të themeluara, por ato më të vogla.

Në 27 vende të BE-së, rreth 360 milionë qytetarë kishin të drejtën e votës, duke zgjedhur 720 anëtarë të Parlamentit të ri Evropian, 96 prej të cilëve vijnë nga Gjermania. Në këtë vend në zgjedhje morën pjesë 35 parti dhe shoqata të tjera politike, 34 prej tyre në të gjithë vendin. Ndryshe nga zgjedhjet federale dhe ato shtetërore, në zgjedhjet evropiane nuk ka një prag elektoral dhe llogaritet se për një mandat përfaqësues ka mjaftuar rreth një për qind e votave.

E djathta fitoi edhe në Austri

Në Austri, partia populiste e krahut të djathtë FPÖ u bë forca më e fortë – për herë të parë në zgjedhje mbarëkombëtare. Sipas vlerësimit të trendit, FPÖ mori 27 për qind të votave. Partia Popullore Austriake (ÖVP) konservatore në pushtet ishte krah për krah me SPÖ socialdemokrate me një 23 për qind të mirë. Të Gjelbrit e Austrisë – që qeverisin Vjenën me ÖVP-në – ranë në 10.5 për qind dhe u bashkuan me Neos-in liberal.

Nëse këto parashikime konfirmohen, FPÖ do të ketë gjashtë ulëse në Parlamentin e ri të BE-së, dy herë më shumë se më parë. Në zgjedhjet evropiane 2019, ÖVP doli e para me një rekord 34.5 për qind – përpara SPÖ me pothuajse 24 për qind. Më pas FPÖ përfundoi në vendin e tretë me 17 për qind.

 

 

 

 

 

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika