Rrugët “vdekjeprurëse” të Kosovës: 96 të vdekur e mbi 15 mijë të lënduar gjatë 11 muajve

Në periudhën janar-nëntor 2023, Kosova përjetoi një numër të shqetësueshëm aksidentesh rrugore, duke regjistruar mbi 21 mijë aksidente. Këto aksidente rezultuan në vdekjen e 96 personave dhe lëndimin e mbi 15 mijë të tjerëve, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës

Mbi 21 mijë aksidente kanë ndodhur në rrugët e Kosovës, përgjatë periudhës janar-nëntor 2023.

E si pasojë e këtyre aksidenteve, vdiqën 96 persona, u lënduan mbi 15 mijë të tjerë.

Kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës për Dukagjinin, në statistikat e të cilëve theksohet një rritje e konsiderueshme e aksidenteve me fatalitet në krahasim me vitin e kaluar.

Janar-Nëntor 2022: Aksidente fatale(86), persona të vdekur(97), aksidente me lëndime(7045), personat e lënduar(13369), aksidente me dëme(11755), total aksidente(18886).

Janar-Nëntor 2023: Aksidente fatale(88), persona të vdekur(96), aksidente me lëndime(7988), personat e lënduar(15459), aksidente me dëme(13294), total aksidente(21370)“, thuhet në statistikat e policisë.

E ditëve të fundit ndodhi një rast që tronditi gjithë vendin, rast që erdhi si pasojë e një aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Tre të rinj vdiqën.

Ata humbën jetën teksa po ndiqnin një garë ilegale me vetura, kur njëri nga shoferët humb kontrollin e veturës duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S.

E Prokuroria Themelore në Prizren, duke kërkuar paraburgim për dy të dyshuarit, me inicialet A.S DHE I.H., ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.

“Sipas kërkesës, me datë 16.12.2023 rreth orës 22:30, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në Prizren, saktësisht në kilometrin e trembëdhjetë të saj nga aksi rrugor ‘Prizren Veri’ në drejtim të aksit rrugor ‘Prizren Jug’, me dashje dhe në bashkëkryerje, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht, merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që të pandehurit A.S., dhe I.H., lëvizin paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘VW Golf’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime trupore të dëmtuarve M.Z., S.Z., dhe B.P., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke e ndjekur zhvillimin e garës automobilistike në mes të të pandehurve.

Me ç’rast, viktimat N.B., M.D., dhe L.S., si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga aksidenti dërgohen pa shenja jete pranë Spitalit Rajonal të Prizrenit”, thuhet në njoftim e Prokurorisë.

E për këtë ngjarje, teksa ishte duke folur në studion e “Rreth e Rrotull”, profesori, Muhamed Krasniqi, ka kërkuar monitorimin e autostradave nga Policia e Kosovës dhe organet kompetente.

Por, ai ka theksuar se duhet edhe krerët e institucioneve shtetërore t’u kushtojnë më shumë vëmendje rasteve të aksidenteve në trafik.

Kështu, Krasniqi ka thënë se duhet të ketë edhe veprime konkrete nga Qeveria e Kosovës.

“Është e pamundur që të gjitha këto hapësira edhe në autostradë edhe brenda qytetit të monitorohen nga policia. Ne e shohim nëse ndodh një aksident brenda qytetit, vonesat e policisë janë të arsyeshme për shkak të frekuentimit të madh brendapërbrenda qyteteve dhe duhet të pritet disa minuta për me ardhë me e bon je vend shikim të aksidentit. Sigurisht që ka hapësirë për t’u përmirësuar kjo gjendje, por duhet veprime konkrete. Por, duhet kreun e Qeverisë, duhet kreun e dikastereve përkatëse, pikërisht në këto ngjarje tragjike. Pasi prezenca e tyre dërgon një mesazh jashtëzakonisht të fuqishëm tek pjesëmarrësit në trafik.

…Edhe duhet veprime konkrete të Qeverisë për shkak e pamë prapë në Raportin e Progresit, ku kërkohet që të kemi një strategji kombëtare për sigurinë rrugore, që të kemi një agjencion për sigurinë rrugore. Ne kemi një Këshill Ndërministror, i cili në vitet e fundit, këto 10-15 vitet e fundit ka pasur një buxhet minimal ose s’ka pasur buxhet fare dhe shtrohet pyetja si mund të zhvillohen aktivitetet dhe si mund të bësh plane të veprimit me një buxhet zero. Për shkak këto aktiviteteve duhet buxhetuar dhe duhet bërë një plan i veprim dhe të shikohet kjo strategji sa është përmbushur”, ka thënë Krasniqi në “Rreth e Rrotull” të Dukagjinit.

Krasniqi ka thënë se sa i përket sigurisë në rrugët, duhet të drejtojmë gishtin edhe kah vetja jonë.

“Pa dashur t’ia lejmë këtu në studio fajin dikujt tjetër. Në vetëm duhet të drejtojmë gishtin kah vetja, për shkak se të gjithë jemi fajtorë për krijimin e këtij kaosi dhe kësaj pasigurie në rrugë”, ka shtuar Krasniqi.

Këtu mund të ndiqni bisedën e plotë që u zhvillua në studion e “Rreth e Rrotull” për garat e jashtëligjshme me makina dhe sigurinë në trafik: 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika