“Nëse Kosova kushtëzohet me aplikimin e sistemit ETIAS, atëherë liberalizimi i vizave do të jetë vështirë i realizueshëm edhe në vitin 2023, ndoshta kjo do të ndodhte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024”.
Kështu ka deklaruar profesori universitar, Ngadhnjim Brovina, për Portalin Dukagjini, gjersa ka theksuar se do të ishte një padrejtësi e madhe nga Bashkimi Evropian nëse liberalizimi i vizave për Kosovën, zyrtarisht, të kushtëzohet nga BE-ja me sistemin për siguri në Evropë, ETIAS.
Kërkesën e Francës që Kosovës të mos i hiqen vizat pa vënë në funksion sistemin, ETIAS, tashmë e ka pranuar edhe Çekia, shtet i cili po udhëheq Presidencën e Këshillit të BE-së.
Kërkesën e Francës janë duke e mbështetur edhe disa shtete të tjera, mes tyre Holanda, Belgjika, Suedia dhe Spanja.
Brovina ka thënë se nëse Kosova nuk kushtëzohet me sistemin ETIAS, atëherë në takimin e 9 dhe 10 nëntorit të grupit punues për vizat të Këshillit të Bashkimit Evropian, mund të merret vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.
“Kosovës i janë shtuar kushte për liberalizimin e vizave si asnjë shteti tjetër. Nëse vazhdohet me këtë qasje nga BE drejt Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave, mendoj që kësaj çështjeje i humb kuptimi. Vetë zyrtarët e BE-së deklarojnë që Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim, e në anën tjetër vendosin kushte të reja duke na diskriminuar si shtet”, ka theksuar Brovina.
Sipas tij, Kosova së pari duhet të ketë liberalizim të vizave, pastaj kur sistemi ETIAS të hyjë në fuqi, Kosova ta bëjë aplikimin e këtij sistemi.
“Nuk ka kuptim kushtëzimi me një sistem, i cili ende nuk ka filluar aplikimin dhe nuk e fillon deri në nëntor të vitit 2023”, ka vijuar ai.
Ndërsa, për kërkesat e Francës për liberalizimin e vizave për Kosovën, ai ka thënë se Kosova nuk ka çfarë të bëjë më shumë sepse kushtet janë plotësuar, gjersa ka shtuar se “topi” tani është te BE-ja.
Sipas Brovinës, këto kushtëzime që po i shtohen Kosovës për liberalizim, lidhen edhe me bisedimet Kosovë-Serbi, sepse siç është shprehur ai, “liberalizimi po shihet si ‘karotë’ për Kosovën, varësisht kompromisit në bisedime”.
Po ashtu, edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Artan Muhaxhiri, për Portalin Dukagjini, ka thënë se liberalizimi i vizave do të ndodhë kur BE-ja t’i pranojë garancitë kosovare për konstruktivitet të vazhdueshëm strategjik në të ardhmen e afërt – në dialog dhe në projekte të tjera.
“Për arsye se kjo çështje është ekskluzivisht politike, sfidë kryesore do të jetë gatishmëria e Kryeministrit Kurti që të gjejë përgjigje adekuate ndaj kërkesave komplekse evropiane”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, Muhaxhiri ka thënë se zbulimi i kriterit të sistemit ETIAS, është tentim që kërkesat politike të maskohen me diskurs burokratik.
“Qasja e tillë shërben si një formë shantazhi, sepse mund të aktivizohet ose injorohet në bazë të interesave specifike politike”.
Sipas tij, teatri absurd me procesin e deritanishëm të liberalizimit të vizave ka bërë që tentimet e parashikimeve të shndërrohen në farsë.
“Me gishta të një dore mund të numërohen njerëzit që në Kosovë mund të prognozojnë mbi baza faktografike për vendimin e Këshillit të Ministrave. Tash më esencialet janë zhvillimet nëpër prapaskena, për të cilat ekzistojnë shumë pak informata. Pra, më s’është punë kriteresh të standardizuara, por marrëveshjesh dhe zotimesh”, ka vijuar ai.
Muhaxhiri ka thënë se ka vite “që gjasat fillestare janë 50:50”, por pastaj siç thotë ai, vijnë zhgënjimet.
“Aktualisht, vetëm një grup i vogël vendimmarrësish evropianë, e ka pushtetin e shndërrimit të këtij raporti në 51:49 në favor të liberalizimit”, ka theksuar Muhaxhiri.
Për të, përkundër të gjitha paradokseve, qytetarët e Kosovës gjithsesi do ta shijojnë liberalizimin e vizave vitin e ardhshëm, gjersa ka shtuar se “do të jetë objektivisht e pamundur që kjo situatë presionesh të mirëmbahet më shumë se disa muaj. Ose ne do të ndryshojmë qasje, ose BE- ja”.
Ndërkaq, Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, ndërkaq më 12 tetor, Komisioni ka lëshuar edhe një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.
Nga Republika Çeke, e cila mban presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre.
Ndërsa, hyrja e plotë në fuqi e ETIAS-it ishte shtyrë disa herë, dhe afati i ri i vendosjes në përdorim të plotë është nëntori i vitit të ardhshëm.