Adnan Rrustemi- deputet i Vetëvendosjes [VV], ka deklaruar se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës janë të padrejta, e që në fakt ato nuk do të duhej të “u vendoseshin” fare.
Rrustemi shtoi se Qeveria e Kosovës vazhdimisht kërkon që masat ndëshkuese të hiqen sepse ato nuk kanë asnjë “arsyeje apo bazë” e që janë dëshmuar se janë të padrejta.
Rrustemi në “Five” të Dukagjinit ka kritikuar opozitën në vend për çasjen e tyre ndaj këtyre masave duke thënë se “deklarimet e përfaqësuesve opozitarë shprehin si një lloj gëzimi të pavetëdijshëm”.
“Masat janë të padrejta. Ato nuk do të duhej të vendoseshin. Ne vazhdojmë të kërkojmë që ato të hiqen, nuk ka asnjë arsyeje, as bazë dhe janë dëshmuar se janë të padrejta. Opozita, në vend se ta theksojë thelbin e padrejtë të sanksioneve, por ka një lloj gëzimi të pavetëdijshëm në deklaratat e përfaqësuesve të opozitës kur thuhet se Kosova ndodhet nën masa ose nën sanksione. Opozita kujdeset të i japin edhe një konatacion gjuhësor kur vetë BE-ja thotë masa, ndërsa opozita sanksione. Serbia ka synuar destabilizimin e Kosovës dhe veçanti në veri.
Rrustemi deklaroi se detyra kryesore e opozitës karshi ndërkombëtarëve është “mbështetja ndaj kërkesave të qeverisë” për largimin e masave të vendosura nga BE-ja.
Opozita sipas Rrustemit, aktualisht është në një pozicion “nënshtrues dhe kritikues” ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Opozita mund të japë një kontribut në rolin e saj. Pse opozita nuk e ka ndonjë përgjegjësi institucionale të drejtëpërdrejtë ndaj vendimeve që janë marrë dhe po merren, qoftë edhe në raport me Bashkësinë Ndërkombëtare. Dhe ka një pozicion të tillë kaq nënshtrues dhe kritikues për Qeverinë e Kosovës, kur bëhet fjalë për veprimet dhe vendimet që nuk do duhet të bëheshin pjesë e betejës politike të brendshme. Po flasim për sovranitetin e shtetit, po flasim për shtrirjen e kushtetutes në tërë territorin e vendit, luftimin e strukturave paralele në veri të vendit, po flasim për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit. Mund të forcojnë edhe më tej pozicionin e Kosovës, duke deklaruar për masat ndaj Kosovës janë të padrejta, veprimet e qeverisë janë të ligjshme dhe të kërkojnë të hiqen këto masa”, deklaroi Rrustemi.