Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara po anulonin 83 për qind të programeve të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), pasi që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po shkurton shpenzimet që nuk përputhen me agjendën e saj.
USAID-i shpërndan ndihma humanitare në mbarë botën, me programe shëndetësore dhe emergjente në rreth 120 vende, dhe kritikët paralajmërojnë se reduktimi i punës së saj do të ndikojë miliona njerëz.
“Pas një rishikimi 6-javor, ne po anulojmë zyrtarisht 83 për qind të programeve të USAID-it”, tha Rubio në platformën e rrjeteve sociale X.
“5.200 kontratat që tani janë anuluar shpenzuan dhjetëra miliarda dollarë në mënyra që nuk i shërbenin (dhe në disa raste madje dëmtonin) interesat kombëtare thelbësore të Shteteve të Bashkuara”, shtoi Rubio.
Trump, i cili ka kërkuar mbylljen e agjencisë humanitare, nënshkroi një urdhër ekzekutiv në janar duke kërkuar ngrirjen e të gjithë ndihmës së huaj të SHBA-së për të lejuar kohë për të vlerësuar shpenzimet jashtë vendit.
Ky vendim kishte bërë jehonë edhe në Kosovë, ku USAID-i thotë se ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.
Përgjatë 25 vjetëve, USAID-i në Kosovë ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në shkurt të këtij viti, teksa listonte disa nga programet e USAID-it si shembuj të shpenzimeve të panevojshme qeveritare, Trumpi përmendi edhe një donacion për riciklim në Kosovë.
Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, faqja zyrtare e USAID-it kishte postuar në Facebook lidhur me këtë program, për dhurimin e 1.000 koshave të mbeturinave.
“Ky donacion do të ndihmojë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të grumbullimit të mbetjeve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për të pastruar rrugët këtu dhe për të devijuar materialet nga vendgrumbullimet lokale”, shkruhej në postimin e USAID-it.
Edhe pse ende nuk dihet se cilat programe do të anulohen, Rubio tha se 1.000 programet e mbetura do të administrohen nga Departamenti i Shtetit.
Rubio të hënën falënderoi në mënyrë të veçantë Departamentin për Efiçencë Qeveritare (DOGE), të cilin miliarderi Elon Musk po e udhëheq në një përpjekje për të reduktuar shpenzimet dhe vendet e punës në nivel federal.
Musk, të cilin Rubio raportohet se e ka kritikuar për masat e tij të rrepta të kursimit, u përgjigj në X duke përshkruar shkurtimet e USAID si “të ashpra, por të nevojshme”.
Departamenti amerikan i Shtetit kishte njoftuar muajin e kaluar synimin e tij për të shkurtuar 92 për qind të kontratave të USAID, duke identifikuar 5.800 grante që do të eliminohen.
Trump dhe aleatët e tij kanë argumentuar se ndihma e huaj është e kotë dhe nuk i shërben interesave të SHBA-së, por grupet humanitare thonë se një pjesë e madhe e ndihmës mbështet interesat amerikane duke promovuar stabilitetin dhe shëndetin jashtë vendit./Radio Evropa e Lire