Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar përparimin e vendit dhe miqësinë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shpreh urimet e mia teksa shënoni 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës—një rast për të reflektuar mbi qëndresën, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e tij.
Rubio ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën, duke theksuar se Uashingtoni ka qenë dhe mbetet një aleat i fuqishëm i rrugëtimit të saj si një shtet sovran, demokratik dhe multietnik.
“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës drejt një shteti sovran, demokratik, multietnik dhe të begatë. Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për mirëqenien e vazhdueshme të Kosovës. Teksa festoni pavarësinë tuaj, ne nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta mes popujve tanë”, ka deklaruar Rubio.