Në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, të martën e 29 tetorit, rreth orës 19:00, është gjetur i vetëvarur me jelek të burgut në dhomën e tij i paraburgosuri Aleks Gërbi.
Naim Rudari ishte avokat i autorizuar i tashmë të ndjerit, ai dha disa detaje për rastin e ndodhur.
“I njëjti është arrestuar më 27 shtator gjatë një operacioni policor kur u gjet një sasi e kanabisit të kultivuar në fshatrat e Pejës, i njëjti është arrestuar në vendin ku ka qenë plantacioni me kanabis, Aleks Gërbi ka qenë një punëtor fizik i asaj çfarë është kultivuar, por i njëjti është arrestuar si i vetëm në të gjithë rastin”, tha Rudari në “FIVE”.
Rudari tha se mbi të rëndonte dyshimi për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i Kanabisit” me masa rënduese.
Tutje, Rudari tha se mbrëmë kishte marrë konfirmimin nga zëvendës drejtori i Qendrës Korrektuese në Prishtinë, që Gërbi i kishte dhënë fund jetës së tij me vetvarje.
Ai tregoi se prokuroria tani për tani nuk ka ndonjë dryshim për shtytje apo ndikim të jashtëm për vetvrasjen e Gërbit.
“Tani për tani as prokuroria nuk ka ndonjë dyshim për shtytje apo për ndikim nga jashtë, përveç asaj që siaps informative preleminare ai ka bërë vetvarje me një jelek reflektues që e bartin të paraburgosurit, prokuroria ka marrë deklarata nga gardianët dhe të tjerët që kanë mundur ta shohin apo ta dijnë këtë ngjarje”, shtoi Rudari.
Poashtu, sipas Rudarit, njëri nga gardianët që po kryente kontrollin e dhomave, e kishte gjetur tashmë të ndjerin të vetvarur.
“Sipas informacioneve që nuk i kemi parë, por dëgjuar, ai gjatë ditës ka pasë lëvizje të zakonshme mirëpo kur është bërë ndrrimi i zyrtarëve korrektues që kanë detyrim t’i kontrollojnë dhomat e të paraburgosurit, njëri nga gardianët e ka vërejtur të njëjtin në formën e tillë të vetvarur, janë munduar t’i japin ndihmë, sipas informacioneve i njëjti ka pasur shenja jete, e më pas në spital ka ndërruar jetë”, tha Rudari.
Ndryshe, SHKK njoftoi mbrëmë se “në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, rreth orës 19:00, është gjetur i vetëvarur me jelek të burgut në dhomën e tij i burgosuri me inicialet A.G. Menjëherë pas zbulimit të rastit, oficerët korrektues dhe stafi shëndetësor i Qendrës ndërmorën të gjitha përpjekjet e nevojshme, duke e nisur me shenja jete në Emergjencën e SHSKUK-së, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme.”
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar një Komision Hetues për të hetuar rrethanat e ngjarjes.
“Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes për të dyja rastet”.