Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, konsideron se formimi i Fondit Sovran do të jetë projekt i dështuar dhe barrë shtesë për Qeverinë e Kosovës.
Rukiqi tha se nuk e sheh si zgjidhje për ekonominë vendëse Fondin Sovran, dhe si e tillë nuk është dashur që të formohet, ai më shumë e sheh si përmbushje të premtimit elektoral të kësaj qeverie, sesa projekt madhor.
Sipas tij, Fondi sovran është për vendet të zhvilluara e që kanë suficit tregtar dhe jo për Kosovën.
“Këtë e ka proklamuar si projektin më madhor të ekonomisë. Ne do të jemi dëshmitarë, do të flasim edhe pas shumë vitesh. Ky do të jetë dështimi më madhor i ndonjë qeverie. Sepse nuk është zgjidhja e ekonomisë së Kosovës fondet sovrane, koncentrimi i shtetit në kompanitë të cilat kanë nevojë për kapital por jo përmes koncentrimit të tyre në fondet e tilla, shto aty që fonde të tilla apo një prezencë e publikes në një instrument kaq të madh, e shton hapësirën për keqpërdorime, por përveç kësaj nuk është model fondi sovran për Kosovën”, ka thënë Rukiqi për EO.
“Fondi Sovran është për vendet të cilat kanë suficit tregtar, kanë rezerva. Kosova është rekord për nga ana e deficit tregtar, dhe nuk mund të prodhojë një ekonomi e tillë një fond të qëndrueshëm sovran”, ka thënë tutje Rukiqi.
Teksa ka folur për formimin e Fondit sovran, Rukiqi e sheh më shumë si barrë shtesë për shtetin. Ai merr si shembull gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai thotë se institucionet po e ngarkojnë vetën me diçka që do të duhej të ishte problem i kompanive.
“Po edhe për shkak të atij koncentrimi dhe për shkak të shumë problemeve të ndërmarrjeve publike që janë evidente, që shihen çdo ditë. Shiheni se çka po ndodh me KEK-un. Pastaj grumbullohen në një vend dhe bëhen barrë shtesë për shtetin. Edhe borxhet edhe menaxhmenti, pra shteti po e ngarkon vetën me një diçka e cila do duhej të ishte puro problem i kompanive dhe i sektorëve të caktuar, gjithmonë me një plan të qartë që të futet kapitali privat në këto ndërmarrje dhe pastaj të rritet efiçenca e tyre”, u shpreh ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.
“Këtë rast, do të ketë probleme, jo vetëm me përformancën e tyre por do të ketë edhe probleme shtesë për shkak se do të bëhen barrë për qeverisjen dhe një pjesë e energjisë do ta marrë menaxhimi i këtij Fondi. Ky do të jetë një dështim kolosal i kësaj qeverisjeje”, ka shtuar Rukiqi.