Serbi Nenad Orlloviq, i njohur si “Rusi”, është dënuar me 15 muaj burgim dhe më 12 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të viti të kaluar.
“Rusi” është dënuar për veprat penale pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale e huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 qershor 2024, thuhet se Orlloviq më datë 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjete) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike për të gjithë qytetarët në atë pjesë, nga të cilat veprime kanë rrezikuar seriozisht dhe trupin e këtyre personave zyrtarë, e të cilëve edhe u kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Më tej thuhet se përmes përdorimit të dhunës, ata kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të pandehurit kishin filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri.
Nga këto mjete, sipas aktakuzës, janë lënduar të paktën 30 (tridhjetë) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.