Shërbimi i sigurisë së Rusisë FSB tha se pesë nga të arrestuarit ishin rusë, ndërsa të tjerët ishin ukrainas dhe armenë.
Ata thonë se Kievi qëndronte pas sulmit, por një zyrtar ukrainas e përshkroi hetimin rus si “të pakuptimtë”.
Lajmi erdhi pasi të paktën shtatë persona u raportuan të vrarë në një sulm në një treg në qytetin lindor të Avdiivka, raporton BBC.
Kreu ushtarak rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko tha se sulmi në u zhvillua në një kohë të ngarkuar, duke shtuar se të paktën tetë të tjerë u plagosën.
Ai këshilloi të gjithë banorët e rajonit, i cili është pjesërisht i pushtuar nga Rusia, të evakuohen.
Ministria e emergjencës e Ukrainës raportoi se disa raketa S-300 kishin rënë në dhe rreth Zaporizhzhia, një nga të cilat shkatërroi një ndërtesë banimi në periferi. Ai tha se një familje u tërhoq nga rrënojat.
“Strukturat e rreme”
Shpërthimi në urën e Krimesë ishte një goditje e fuqishme simbolike për presidentin rus Vladimir Putin, i cili hapi urën në vitin 2018, katër vjet pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Presidenti Vladimir Putin e quajti atë një “akt terrorizmi” që synon të shkatërrojë një pjesë kritike të infrastrukturës civile të Rusisë.
Zyrtarët e FSB-së thanë se shpërthimi ishte organizuar nga “Drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, kreu i saj Kyrylo Budanov, stafi dhe agjentët e saj”.
Por një zëdhënës i drejtorisë, Andriy Yusov, hodhi poshtë akuzat ruse.
“Të gjitha aktivitetet e FSB-së dhe Komitetit Hetues [rus] janë të pakuptimta,” tha ai për mediat ukrainase. “Ato janë struktura të rreme që i shërbejnë regjimit të Putinit, kështu që ne definitivisht nuk do të komentojmë mbi njoftimet e tyre të fundit.”
Forcat ruse u kundërpërgjigjën të hënën me një valë sulmesh raketore në të gjithë vendin, duke përfshirë në qendër të Kievit, duke vrarë 19 persona.
Pas sulmeve të tjera të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kërkoi vendeve të godasin Moskën me më shumë sanksione në përgjigje të “një vale të re terrori”.
Thirrjet erdhën pasi ai u takua me grupin e kombeve G7 për bisedime virtuale urgjente të martën.
Blloku – i cili përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA – premtoi të vazhdojë të ofrojë mbështetje “financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore” për Ukrainën “për aq kohë sa duhet”.
NATO tha gjithashtu se do të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, teksa ministrat mblidhen për dy ditë bisedimesh në Bruksel.