Ministria e Jashtme e Rusisë ka njoftuar se do të dëbojë një numër të diplomatëve gjermanë nga vendi.
Në njoftimin e saj thuhet se ky është “reagim ndaj veprimeve armiqësore të Berlinit”.
Ministria tha se synon “të kufizojë ndjeshëm numrin maksimal të punonjësve të misioneve diplomatike gjermane” në Rusi.
Gjermania nuk ka njoftuar në lidhje me ndonjë dëbim më herët, por një zyrtar i Ministrisë së Jashtme gjermane tha më 22 prill se të dyja palët kanë qenë në kontakt gjatë javëve të fundit, në lidhje me përfaqësitë e ambasadave dhe konsullatave.
“Largimi i sotëm i stafit të Ambasadës ruse lidhet me këtë”, tha zyrtari, por Ministria e Jashtme gjermane nuk specifikoi se sa diplomatë rusë janë larguar.
Zyrtari tha se mbërritja e një avioni qeveritar rus në Berlin, me leje të posaçme diplomatike, lidhej me këtë çështje.
Avionët rusë janë të rrallë në Evropë, sepse Bashkimi Evropian ka mbyllur aeroportet dhe hapësirën e vet ajrore për linjat ajrore ruse, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se më shumë se 20 diplomatë gjermanë do të dëbohen nga Rusia.
Agjencia shtetërore e lajmeve, RIA Novosti, raportoi se një numër i njëjtë i diplomatëve rusë po dëbohet nga Berlini.
Gazeta gjermane, Bild, tha se 34 nga 90 pjesëtarët e stafit gjerman në Rusi do të dëbohen.
Mediat gjermane raportuan qysh në muajin mars se Berlini po konsideronte dëbimin e më shumë se 30 diplomatëve rusë nga vendi.
Sipas raporteve, agjencitë gjermane të sigurisë kanë arritur në përfundimin se përfaqësuesit rusë mund ta përdorin imunitetin e tyre diplomatik për të rekrutuar informatorë, për qëllime sabotimi ose përhapje të dezinformatave.
Në prill të vitit 2022, Gjermania i ka shpallur 40 diplomatë rusë persona të padëshirueshëm. Në kundërpërgjigje, Rusia ka dëbuar 40 diplomatë gjermanë. REL