Rusia ka djegur sasi të mëdha të gazit natyror gjersa kostot e energjisë në Evropë vazhdojnë të rriten.
Sipas analizave të ndara me BBC News, uzina pranë kufirit me Finlandën ka djegur gaz me vlerë rreth 10 milionë dollarë çdo ditë.
Shkencëtarët janë të shqetësuar për vëllimet e mëdha të dioksidit të karbonit dhe blozës që po krijon kjo sasi e madhe e djegies si rrjedhojë e së cilës mund të përkeqësohet shkrirja e akullit të Arktikut.
Analiza e “Rstad Energy” tregon se rreth 4.34 milionë metra kub gaz digjen nga flakët çdo ditë në një fabrikë të re të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Portovaya, në veri-perëndim të Shën Petersburgut. Kjo zjarrëvënie u vu re nga qytetarët finlandezë, të cilët vunë re një flakë të madhe në horizont, në fillim të kësaj vere.
Portovaya ndodhet afër një stacioni kompresori në fillim të gazsjellësit “Nord Stream 1” i cili transporton gaz nën det në Gjermani. Furnizimet në këtë tubacion janë kufizuar qysh nga mesi i korrikut, veprim ky i cili është cilësuar sikurse një “veprim politik” nga radhët e Gjermanisë.
Mirëpo, që nga qershori, studiuesit kanë vërejtur një rritje të konsiderueshme të nxehtësisë që buron nga objekti e që u mendua të jetë si rrjedhojë e ndezjes së gazit dhe djegies së tij.
Ndërsa djegia e gazit është e zakonshme në fabrikat e përpunimit, një veprim i tillë bëhet për arsye teknike ose sigurie. Mirëpo, shkalla e kësaj djegieje ka ngatërruar ekspertët.
“Unë kurrë nuk kam parë një fabrikë LNG të ndezë kaq shumë,” tha Dr Jessica McCarty, një eksperte për të dhënat satelitore nga Universiteti i Miami në Ohio.
“Duke filluar nga qershori, ne pamë këtë majë të madhe, dhe ajo thjesht nuk u largua. Ka qëndruar shumë anormalisht e lartë.”
Mark Davis, CEO i Capterio , një kompani që është e përfshirë në gjetjen e zgjidhjeve për ndezjen e gazit, thotë se ndezja nuk është e rastësishme dhe ka më shumë gjasa të jetë një vendim i qëllimshëm i marrë për arsye operacionale.
“Operatorët shpesh hezitojnë të mbyllin objektet nga frika se ato mund të jenë teknikisht të vështira ose të kushtueshme për të rifilluar, dhe ndoshta është rasti këtu,” i tha ai BBC News.
Të tjerë besojnë se mund të ketë sfida teknike në trajtimin e vëllimeve të mëdha të gazit që po furnizoheshin në tubacionin “Nord Stream 1”.
“Gazprom”, gjiganti energjetik i kontrolluar nga shteti rus që zotëron centralin, nuk i është përgjigjur kërkesave për koment mbi ndezjen.
“Ndërsa arsyet e sakta të ndezjes janë të panjohura, vëllimet, emetimet dhe vendndodhja e flakërimit janë një kujtesë e dukshme e dominimit të Rusisë në tregjet e energjisë në Evropë”, tha Sindre Knutsson nga Rystad Energy.
“Nuk mund të ketë një sinjal më të qartë – Rusia mund të ulë çmimet e energjisë nesër. Ky është gaz që përndryshe do të ishte eksportuar nëpërmjet ‘Nord Stream 1’ ose alternativa.”
Çmimet u rritën në shkurt të këtij viti, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Qeveritë evropiane kërkuan mënyra për të importuar më pak energji nga Rusia, e cila më parë kishte furnizuar 40% të gazit të përdorur në BE.
Vendet si Gjermania dhe Spanja tashmë kanë filluar me masa për kursimin e energjisë.